Nxënësit serb nuk i nënshtrohen provimit të maturës

15:07 | 6 Mars 2016
Arbresh.info

Nxënësit e komunitetit serb në Kosovë, vazhdojnë ende të mos i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës, edhe pse kjo është e obliguar me Ligj.

Një nga sfidat e Ministrisë së Arsimit, vazhdon të jetë integrimi i komunitetit serb në sistemin arsimor. Edhe pse me Ligj të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës duhet t’i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës, komuniteti serb vazhdon të mos u bindet ligjeve.

Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Azem Guri, tha për Radio Kosovën, se çdo vit përgatitet testi i maturës edhe në gjuhën serbe, por janë të rrallë ata që i përgjigjen kërkesave për t’i nënshtruar këtij testi.

“Sa i përket përgatitjes së testit të maturës në gjuhën serbe ne i kemi bërë dhe i bëjmë përgatitjet. Dua të theksoj se vitin e kaluar nxënës të komuniteti serb kanë bërë kërkesë që t’i nënshtrohen provimit të maturës dhe ne iu kemi krijuar kushte dhe iu kanë nënshtruar provimit në gjuhën e tyre amtare.”

Guri bëri të ditur se në mbledhjet me drejtoritë komunale të arsimit janë ftuar vazhdimisht edhe drejtorët e komunitetit serb, por dy tri vitet e fundit ata nuk i janë përgjigjur ftesave.

“Ndonjë takim të veçantë nuk kemi pasur, për arsye se ne i ftojmë në takimet e rregullta që kanë drejtorët komunalë të arsimit edhe të komunave që janë të banuara me komunitetin serb. Dua të theksoj se në të kaluarën para dy tre vitesh iu kanë përgjigjur takimeve, por tani nuk iu përgjigjen ftesave.”

Ndërkohë, drejtorja e arsimit në Komunën e Graçanicës, Gordana Toskiç, tha për Radio Kosovën, se edhe pse ka ftesë nga Ministria e Arsimit që nxënësit serb t’i nënshtrohen provimit të maturës, kjo është një zgjedhje individuale e tyre, pasi mësimin e zhvillojnë me plan-programet e Serbisë.

“Në këtë komunë janë nëntë shkolla fillore dhe nëntë të mesme, ndërsa mësimi zhvillohet me plan-programet e Republikës së Serbisë. Edhe pse rregullisht vijnë thirrje nga Prishtina për nxënësit tanë, por nuk janë të interesuar për lloje të tjera të diplomave apo diçka tjetër për arsimin nga Prishtina. Natyrisht, me siguri ka raste individuale, kjo është zgjedhja e tyre dhe këtë nuk mund ta realizojmë.”

Megjithatë, Ministria e Arsimit, po vazhdon përpjekjet për të integruar të gjitha komunitetet në sistemin tonë arsimor, e veçanërisht komunitetin serb. Ministria thotë se po mban kontakte me shkollat serbe përmes drejtorive të Arsimit nëpër komuna. Mirëpo, jo gjithmonë këto drejtori kanë bashkëpunim me shkollat të cilat ende vazhdojnë të jenë nën kontroll të Ministrisë së Arsimit të Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme