Nxënësit e “Enver Malokut” nuk fillojnë vitin shkollor, objekti në kushte të mjerueshme

12:45 | 5 Shtator 2016
Arbresh.info

Viti i ri shkollor 2016/2017, nuk ka filluar sot për nxënësit e Shkollës “Enver Maloku” në Podujevë, pasi që objekti aktual nuk ofron kushte elementare për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim për media, sipas të cilit kryetari i kësaj komune, Agim Veliu, ka fajësuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, pasi sipas tij, neglizhenca e tyre e ka mbajtur peng edhe komunën që të investojë renovimin e objektit ekzistues, ndonëse çdo vit kanë marrë premtime se vitin shkollor do ta fillojnë në objekt të ri.

Ky objekt, në të cilin për shumë vite nxënës të shkollës fillore kanë vijuar mësimin, paraqet rrezik për shëndetin dhe jetën e nxënësve, ankesat e të cilëve nuk kanë munguar.

Objekti i ri për nxënësit e gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” ka filluar të ndërtohet qysh në prill të vitit 2009, por edhe pas shtatë viteve ai objekt nuk ka përfunduar, ndërsa mos zhvendosja e gjimnazistëve në objekt të ri, ka ndikuar që nxënësit e Shkollës Fillore “Enver Maloku” të përballen me kushte të mjerueshme në objektin e vjetër.

E në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku, pati marrë kërcënime nga prindërit e nxënësve për bojkot të procesit mësimor, për shkak të kushteve të tilla në shkollë. Dhe pikërisht një gjë e tillë ndodhi, pasi sipas njoftimit të komunës, vendimi për mosfillimin e procesit mësimor është marrë në bashkëpunim me prindërit e nxënësve.

Sipas Veliut, komuna i ka bërë presion Ministrisë, por kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.

Edhe kësaj radhe, ngjashëm si viteve të tjera, premtimet nuk munguan. Ndonëse nga komuna nuk kanë njoftuar se kur do të fillojë viti shkollor për nxënësit e kësaj shkolle, ata kanë thënë se nëse MASHT nuk ndërmerr hapa të shpejtë për përfundimin e objektit të ri, atëherë Komuna e Podujevës njëanshëm do të veprojë dhe do të krijojë kushte për fillimin e procesit mësimor.

Problemi e këtyre shkollave në Podujevë, e ka trajtuar KosovaPress gjatë muajit mars, ku në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit thuhej se ky objekt nuk është përfunduar akoma për shkak të mungesës së buxhetit, duke mos lënë anash as neglizhencën e operatorit ekonomik.

Një përgjigje të tillë nga MASHT, si të papranueshme e patën cilësuar nga Drejtoria e Arsimit në Podujevë, ku drejtori Avni Maloku për KosovaPress pati thënë se arsyetimet e tilla nuk merren parasysh, ku dihet numri i shkollave të ndërtuara nëpër komuna të ndryshme nga investimet e Ministrisë.

E në tërësi, kostoja e këtij projekti të nisur në kohë fushate ka vlerën 2 milionë e 200 mijë eurosh, shumë kjo për të cilën rojtari i objektit shkollor që është në ndërtim e sipër, thotë se Ministria nuk ia ka paguar kompanisë “Ndërtimtari”, e cila në vitin 2009 kishte fituar tenderin.

Në anën tjetër, hapësira e objektit të vjetër të gjimnazit është e pamjaftueshme për numrin e madh të gjimnazistëve, të cilët janë detyruar të vijojnë mësimin në kabinete e bufe të shkollës, të cilat vend të pajisjeve të kabineteve, janë të mbushura vetëm me banka.

Por, përderisa nga Ministria e Arsimit thonë se nuk kanë pasur buxhet për përfundimin e kësaj shkolle, e cila qe 7 vite ka bllokuar edhe dy shkolla të tjera në Podujevë, në anën tjetër ata sqarojnë se që nga viti 2009 nga investimet e MASHT-it janë përfunduar 86 objekte të tjera shkollore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme