Nis mësimi, paralajmërohet grevë e mësimdhënësve

12:02 | 4 Shtator 2017
M. A.

Edhe pse kishin paralajmëruar grevë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK-u), nuk do të mbajë grevë, të paktën jo deri në gjysmën e dytë të muajit shtatorit, shkruan arbresh.info.

Kryetari i sindikalistëve të arsimit, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për arbresh.info ka treguar disa arsye përse SBASHK-u nuk ka filluar grevë në fillim të muajit shtator.

“SBASHKU nuk ka filluar grevën me një shtatorë për arsye se nuk ka dashur të zbehim gëzimin e fëmijëve sidomos atyre qe fillojnë për herë të parë shkollimin. Po ashtu nuk kemi bërë grevë me katër shtator sepse do të te dilnin zërat se SBASHK-u po bënë greva për të zgjatur pushimin”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka deklaruar se me të filluar mësimi do ta përcjellin nga afër sistemimin e mësimdhënësve, do të shohin nëse komunat do të jenë të gatshme t’ua paguajnë atyre udhëtimin, shujtën,  pagat suplementare, si dhe 3 pagat pas pensionimit, që ngarkohen me kontratën kolektive.

“Gjatë dy javëve të para të shtatorit do të bëjmë përpjekje që të takohemi me drejtor të Drejtorisë së Arsimit nëpër komuna duke dëshiruar që të arrijmë marrëveshje me dialog, e nëse kjo nuk bëhet atëherë do të takohet Këshilli Drejtues i SBASHKUT dhe ata do ta përcjellin zërin e mësimdhënësve dhe ne do të veprojmë. Nëse mësimdhënësit e shohin të udhës që të fillojmë  me veprime sindikale atëherë në do të veprojmë, kjo nënkupton greva të pjesshme me afat të shkurtuar si një ditë një orë ,pastaj më tutje deri në grevën gjenerale”, u shpreh Jasharaj.

I pyetur se si e komenton deklaratën e ministrit në largim Arsim Bajramit, se nuk do të ketë grevë, Jasharaj ka thënë se ministri duhet të bëjë përpjekje dhe të ndikojë në Ministrinë e Financave dhe nivelin lokal.

“Është ministri ai që të lutet e të thotë se nuk do të ketë grevë, por që të mos ketë grevë ministrit brenda kompetencave të veta duhet të ndikojë edhe te ministria e financave dhe niveli lokal që ata të ofrojnë përmes dialogut zgjidhje për kërkesat tona”, ka thënë Jashari.

E për analistin për arsim Dukagjin Pupovcin është e palogjikshme kërkesa e sindikatës që të paguhet ushqimi dhe shpenzimet e udhëtimit për punonjësit e arsimit e të mos paguhet për të gjithë shërbyesit civil.

“E njëjta gjë vlen për tri pagat jubilare të cilat kërkohet të paguhen me rastin e pensionimit të punëtorëve të arsimit. Është mirë të kalkulohet sa do të kushtonte pagesa e ushqimit, udhëtimit dhe pagave jubilare për të gjithë shërbyesit civile, pastaj të bisedohet a janë premtimet e tilla të arsyeshme apo jo. Përkundër faktit se marrëveshja kolektive e vitit 2014 ka mbetur e parealizuar në këto pika, të njëjta janë përsëritur në marrëveshjen e re, të nënshkruar në prag të zgjedhjeve të fundit”, ka thënë Pupovci.

Ndryshe, sot ka filluar filluar mësimi në shumicën e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme