Nesër zgjedhet rektori i UP-së

18:05 | 3 Mars 2016
M. A.

Pas dorëheqjes së rektorit Ramadan Zejnullahu nga posti i rektorit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nesër do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së i cili pritet ta zgjedh rektorin e ri të këtij universiteti. Në garë për këtë post janë pesë kandidatë.

Ende nuk dihet ora e saktë kur do të filloj mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së por deri tani dihet se për këtë post janë pesë kandidatë: Isuf Musliu, Lul Raka, Sali Bashota, Naser Sahiti dhe Anton Berishaj.

Rektori i ri i cili pritet të zgjidhet nesër, pritet që punën zyrtarisht ta filloj më datën 15 mars të këtij viti. Sipas statutit të Universitetit të Prishtinës, emërimi i rektorit bëhet për një periudhë prej katër vitesh, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat.

Neni 25, i statusit të Universitetit të Prishtinës, thotë se rektorin e zgjedh Këshilli drejtues, i përbërë nga 9 anëtarë, të cilët propozohen nga komisioni profesional, i cili ka obligim të propozojë 5 kandidatë për rektor.

Neni 26, pika tre thotë se; “Rektori zgjedhet me shumicën absolute (shumicën e anëtarëve të përgjithshëm) në pajtim me dispozitat e këtij Statuti. Në rast se as n jë kandidat nuk fiton këtë shumicë në radhën e parë të votimit, atëherë dy kandidatët me numrin më të madh të votave kualifikohen në votimin e dytë. Nëse asnjëri nga dy kandidatët nuk fiton shumicën absolute tri herë radhazi, procedura e zgjedhjes përsëritet nga fillimi, siç është paraparë në këtë Statut”, thuhet në Statusin e UP-së.

Sipas web faqes zyrtare të UP-së, anëtarët e Këshilli Drejtues janë: Ismet Salihu, Beqir Sadikaj, Isa Qosja , Zeqir Veselaj, Fevzi Berisha, Kemajl Bislimi, Alberta Troni, Sigurd Hollinger.

Sipas statutit të UP-së secili prej anëtarëve kanë të drejtë vote.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme