Google ADS

Mund të mbyllen dy të tretat e programeve të studimit në Kosovë

12:07 | 26 Mars 2016
M. A.

Agjencia e Akreditimit e Kosovës për shkak të mungesës se doktorëve të shkencave, mund t’i mbyll dy të tretat e programeve të studimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bordit të AKA-së, Blerim Rexha në një intervistë për KosovaPress-in. Sipas tij, vitin e kaluar për herë të parë janë grumbulluar të dhëna të cilat tregojnë saktë se sa doktorë të shkencave janë në Kosovë.

Rexha ka thënë se sipas të dhënave të Agjencisë, Kosova ka doktorë të shkencave për ta mbuluar një të tretën e programeve të studimit që janë të akredituara në vendin tonë, pasi sipas Udhëzimeve Administrative në vend, për çdo program studimi duhet të jenë së paku tre profesorë të rregullt të cilët duhet të kenë thirrje të doktoratës.

Po ashtu, Rexha ka thënë se asnjë program studimi dhe institucion i arsimit të lartë i cili nuk i plotëson këto kritere të parapara me UA-të dhe Ligjin për Akreditim nuk do të akreditohen.

 

“Unë mendoj që ne gjithë ato UA i kemi lexuar ashtu si është dhe aty shkruan në mënyrë strikte që kërkohen tre, nëse ky kriter nuk ndërrohet, ne do ta mbajmë këtë, nëse ndërrohet do të aplikojmë rregullat aktuale që do të jenë në fuqi”, është shprehur ai.

Kryetari i Bordit ka deklaruar se në këtë mes Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, qëndron pak më mirë, derisa ka shtuar se universitetet publike tjera dhe institucionet private të arsimit të lartë në vend kanë mungesë të madhe të stafit akademik.

Ndërkohë, për shkak të këtyre problemeve, Blerim Rexha ka thënë se edhe procesi i akreditimit për këtë vit është ngadalësuar dhe po ecën me një dinamikë më të ngadalshme.

Rexha është shprehur se deri më tani, Agjencia i ka pranuar disa programe të studimit dhe i ka shqyrtuar disa prej tyre që kanë arritur vitin e kaluar, mirëp o ka shtuar se për këtë vit janë në pritje mbi 237 programe studimi që u kalon këtë vit afati i akreditimit dhe janë në pritje të plotësimit të kushteve formale-juridike dhe caktimit të ekspertëve për vlerësim.

Po ashtu, Rexha ka deklaruar se këtë vit nuk ka aplikuar asnjë institucion me program të studimit në nivelin e doktoratës.

Ai është shprehur se për të gjitha programet dhe institucionet që aplikojnë, Agjencia do ta respektojë afatin e akreditimit i cili mund të zgjasë deri në 12 muaj, pa marrë parasysh nëse procesi i akreditimit përfundon deri më 1 tetor apo jo, duke mos u vënë nën presionin e kohës.

Procesit të akreditimit institucional dhe akademik në vendin tonë janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjitha institucionet e arsimit të larë në mënyrë që të mund të pajisen me licencë për punë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme