Mitrovicë: Debatohet për Ligjin për Arsimin e Lartë

17:42 | 3 Qershor 2015
M. A.

Ka vazhduar debati publik për Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Profesionet e Rregulluara, kësaj radhe në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Edhe në këtë debat, ministri Bajrami ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha palëve të interesit, në mënyrë që të kemi një ligj sa më të mirë që rregullon nivelin e arsimit të lartë në Kosovë dhe ngritë cilësinë në këtë nivel të shkollimit.

Ministri theksoi se në Ligjin e ri janë paraparë standarde të larta dhe në shumë dimensione sa i përket çështjes se kush mund të quhet universitet, thirrjeve akademike, qeverisjes efektive akademike dhe financiare, përbërjes dhe rolit të Senatit, zgjedhjes dhe kompetencave të rektorit dhe të Këshillit Drejtues, etj.

Sa i përket Ligjit për Profesionet e Rregulluara, ministri tha është një ligj që i ka munguar Kosovës dhe se ky ligj do të jetë një instrument për krijimin e cilësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme