Ministri Bajrami vizitoi nxënësit gjatë testit të arritshmërisë

14:13 | 22 Maj 2015
Arbresh.info

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka vizituar nxënësit gjatë mbajtjes së Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, të cilët po testoheshin në shkollën “Eqrem Çabej” në Vushtrri.

Testit të Arritshmërisë, këtë vit i janë nënshtruar rreth 35 mijë nxënës të klasave të nënta në 102 qendra në gjithë Kosovën. Sipas raporteve nga terreni, procesi i testimit ka filluar me kohë në të gjitha qendrat dhe nuk është paraqitur ndonjë pengesë.

Ministri Bajrami, gjatë vizitës te nxënësit në Vushtrri, ju dëshiroi sukses atyre dhe të gjithë nxënësve që kanë mbaruar klasën e nëntë në gjithë Kosovën dhe që sot po i nënshtrohen këtij testi. “Ky është një moment i rëndësishëm për ju, sepse do të vlerësoheni se ku jeni me arritshmërinë tuaj, pas përfundimit të klasës së nëntë. Ne jemi të sigurtë, se ju do të tregoheni të suksesshëm, por ju tani do të merrni një vendim për orietimin juaj drejt shkollës së ardhshme”.

Ministri Bajrami iu rikujtoi nxënësve se kanë mundësi të zgjedhin një shkollë të mirë profesionale, një gjimnaz apo shkollë të përgjithshme. “Ka ardhur koha që ju qysh në këtë kohë, pas klasës së nëntë të orientoni veten për karrierë dhe uroj që zgjedhja juaj të jetë një zgjedhje e drejtë”, tha ministri dhe iu sygjeroi nxënësve që në këtë drejtim të bashkëpunojnë me prindërit, por vendimin ta marrin vet për arsimimin e tyre të mëtutjeshëm.

“Po kujdesemi që ju të keni një arsim cilësor, një shkollë cilësore, po kujdesemi që t’ju sigurojmë edhe një treg të punës, në mënyrë që ju, me të përfunduar arsimin parauniversitar, ose të gjeni menjëherë një vend pune, ose të orientoheni drejt arsimit të lartë”, tha ministri Bajrami.

Ministri po ashtu, tha se Testi i Arritshmërisë është një moment i rëndësishëm që të shohim se ku është sistemi ynë arsimor pas përfundimit të klasës së nëntë, “të shohim se si janë programet tona, a janë të ngarkuara, si janë metodat tona të mësimdhënies dhe cfarë mësimdhënës kemi”.

“Rezultati që ju do të tregoni në këtë test, është edhe rezultati i punës suaj, por edhe i mësimdhënësve tuaj dhe jemi të sigurtë që jemi në rruigën e drejtë për të krijuar një mësimdhënie cilësore, për të krijuar një arsim të avancuar, sepse definitivisht kemi një rini shumë inteligjente, e cila meriton një arsim cilësor”, tha ministri Bajrami.

Rezultatet e Testit të Arritshmërinë do të shpallen në fillim të qershorit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme