Miliona, kundërligjshëm për shkollat që nuk u përfunduan

07:13 | 30 Qershor 2015
Arbresh.info

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka lejuar zvarritjen e punimeve në ndërtimin e një numri të madh shkollash, për afro gjashtë vjet, shkruan sot Koha Ditore.

Punëkryesit nuk janë penalizuar asnjëherë deri tash, por as përgjegjësit e Ministrisë nuk kanë dhënë llogari se si u bë që së paku tetë shkolla të mesme dhe tri shkolla fillore, nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, që kanë filluar të ndërtohen që nga viti 2009 dhe 2010 të mos përfundohen së ndërtuari ende.

Zyrtarë të Ministrisë tani arsyetohen se nuk patën buxhet për të paguar ndërtimet. Ndërsa ekspertët thonë se kontraktimi i punimeve pa buxhet të ndarë është shkelje e rëndë e ligjit.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, pati thënë para deputetëve të Komisionit parlamentar për arsim se numri i shkollave të papërfunduara është afro 20, dhe si shkak i moskryerjes së punimeve ai ka përmendur neglizhencën e kompanive punëkryese.

Ministri madje disa herë, gjatë mbledhjes, ka përmendur “se asnjë kompani që ka zvarritur punimet për kaq shumë vjet nuk do të shpëtojë pa u ndëshkuar”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme