Google ADS

Mësimdhënësit refuzojnë t’i nënshtrohen testit

08:21 | 10 Shtator 2016
M. A.

Shumica e mësimdhënësve kosovarë janë deklaruar kundër nënshtrimit të testit përmes të cilit do të vlerësohet performanca e tyre.

Ata që vlerësojnë dijen e të tjerëve po refuzojnë t’i nënshtrohen vlerësimit të njohurive të tyre. Mbi 23 mijë mësimdhënës kanë plotësuar formularët duke u deklaruar në shumicë se janë kundër mbajtjes së testit ku do të vlerësoheshin njohuritë dhe aftësitë e tyre. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka konfirmuar të premten se formularët e shpërndarë nga kjo Sindikatë në fillim të javës tashmë janë mbledhur dhe se të dhënat e para dëshmojnë se mësimdhënësit janë në shumicë kundër këtij testi.

SBASHK-u ka mbledhur opinionin e mësimdhënësve pas deklarimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, se në tetor të këtij viti për herë të parë në Kosovë mbi 23 mijë mësimdhënës do të hyjnë në test të performancës, në bazë të të cilit, sipas ministrit, do të vërtetohej se kush është i denjë për këtë pozitë e kush jo. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, gjatë një raportimi para Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës pati deklaruar se nuk është i kënaqur me cilësinë e arsimit në Kosovë.

“Çka po tregon sistemi arsimor në Kosovë, po tregon se problemi kryesor në cilësinë e arsimit nuk janë nxënësit, por mësimdhënësit e papërgatitur…,”, pati thënë Bajrami.

Por kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se përfaqësuesit e Sindikatës nëpër komuna kanë raportuar se shumica e mësimdhënësve kanë plotësuar formularët ku janë deklaruar kundër mbajtjes së testit. Jasharaj ka thënë për “Zërin” se të dhënat nga terreni tashmë janë një dëshmi se mësimdhënësit refuzojnë t’i nënshtrohen testit të paralajmëruar nga ministri se do të mbahet sivjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme