Mësimdhënësit në grevë, japin afat deri më 24 shkurt për realizimin e kërkesave

08:39 | 20 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryetari i Sindikatës së Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj gjatë vizitës në shkollën e Mesme Bujqësore “Abdyl Frashëri”, në Prishtinë me rastin e grevës dy orëshe në institucionet arsimore, ka paralajmëruar që nëse institucionet e vendit nuk marrin masa dhe nuk tregojnë veprime konkrete do të merret vendim për grevë të pacaktuar, shkruan arbresh.info.

Ai tha se kjo grevë ka ardhur si rezultat i mos plotësimit të kërkesave të cilat ata ua kanë adresuar qeverisë. Greva do të mbahet në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse universitetet do të jenë në grevë nga ora 10 deri në orën 12.

“Uroj që Qeveria të reflektoj që ne mos të kemi më nevojë për greva. Po ju premtoj që nëse Qeveria nuk vepron konkretisht për këto ligje atëherë me 24 shkurt është Kongresi dhe ky i fundit ka të drejtë që të marrë vendime më të ashpra. Kam frikë që nëse shkojmë deri aty kongresi mund të shpall grevë me datë të pacaktuar por ne mund edhe të shkojmë dhe të dalim në rrugë me protesta”, ka thënë ai.

Ai përpos që ka përmendur statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 90-ta, ka thënë që do të kërkojnë me ngulm që për punëtorët e arsimit të kenë edhe ligjin për sigurime shëndetësore.

“Do të kërkojmë me ngulm që mësimdhënësit ta kenë edhe ligjin për sigurime shëndetësore. Prandaj është koha e fundit që ne të jemi unik dhe do të luftojmë që ta kemi edhe ligjin për sigurime shëndetësore”, ka thënë ai.

Jasharaj, ka pohuar se po dëgjohen fjalë që mësimdhënësit po hyjnë në grevë për paga, duke shtuar se kjo nuk është e vërtetë.

“Ka aty e këtu fjalë që mësimdhënësit po bëjnë greva për paga. Po e them që kjo grevë nuk është për paga por ne po luftojmë më shumë se kurrë për çështjen e ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit për vitet 90-ta. Po bëjmë më shumë për ata që nuk i kemi në mesin tonë dhe që kanë punuar në ato vite. Po ashtu do të insistojmë me ligjin e pagave sepse ai ligj pretendonte që neve të na rangoj në fund të listës me kriteret e tyre”, ka thënë ai.

Jasharaj thotë se ajo që po e frikëson është që nëse gjërat nuk ndryshojnë Kongresi mund të shpall grevë të pacaktuar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme