Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta të dekurajuar me premtime boshe

07:22 | 11 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta vazhdojnë të marrin premtime boshe nga ekzekutivi aktual, sikurse edhe ai i kaluar. Vazhdimisht premtohet zgjidhja e statusit të tyrem, por deri më tani ende nuk është definuar në ndonjë instancë shtetërore. Sipas ekspertëve, kjo çështje është zvarritur për më shumë se dhjetë vjetë.  Edhe ish-mësimdhënësit e viteve 90’të nuk janë shumë optimist se Projektligji do të procedohet shpejt në Kuvend dhe do të vihet në zbatim.

Dibran Gashi, ka punuar profesor në shkollën e Mesme Teknike të Drenasit, nga viti 1993 e deri në vitin 1999.

Gashi, në një prononcim për arbresh.info është shprehur skeptik sa i përket procedimit në Kuvend për miratim dhe vënien në zbatim të Projektligjit për Mësimdhënësit e viteve 90’ta.

“Këta po thonë se në vitin 2018 ka mu procedu në Ligj për realizim, por nuk ka hapësirë për me ju besu edhe aq”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se fakti që ky Projektligj është vonuar për të funksionalizuar është i padiskutueshëm.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, premtoi se në fillim të dhjetorit Projektligji për Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta do të dërgohet për miratim në Qeveri, pavarësisht se nuk figuron në Planin Legjislativ të Qeverisë.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari për portalin arbresh.info.

Jashari ka thënë se pas një angazhimi shumë të madh të SBASHK-ut dhe punës që është bërë nga një Komision paraprak në Qeverinë e kaluar projektligji më në fund është finalizuar.

“Kemi garancione që deri në gjysmën e parë të dhjetorit do të shkoj në Qeveri që pastaj të merr dritën e gjelbër të shkojë në Kuvend.  Është vonuar ky ligj dhe është dashur shumë më herët të shkojë në Qeveri nga fakti se ata mësimdhënës të viteve të ’90 duke sakrifikuar vetveten nuk iu ndan as shkollës, as nxënësve dhe punuan me kushte dhe mundësitë që i kishin duke u përplasur me dhunën e pushtuesit. Ata mbajtën gjallë arsimin shqip në Kosovë, shpresën për ditë më të mira për ardhjen e lirisë. E veçanta e kësaj përpjekje sublime ishte se duke i mbajtur fëmijët në shkollë, e shkollat hapur këta njerëz ndikuan që të mos zmbrapset Kosova  në vitet e okupimit”, theksoi ai.

Jashari ka theksuar se kanë marr garancione nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe nga Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi që shumë shpejt ky projektligj do të shkojë në Qeveri që të procedohet në Kuvend.

“Ligji parasheh që të punsuarit e arsimit e atyre viteve që kanë punësuar në të gjitha vitet në kohën  e okupimit  do ta kenë një pension të veçantë që e kap shumën 75% të pagës bazë në arsimin fillor, që i bie që do të kenë një pension më shumë se 300 euro.  Ndërsa ata që kanë punuar më pak vite nga ato vite të tëra, po e zëmë 6 e më pak vite do të gëzojnë pensionin në vlerën 65% të pagës bazë në arsimin fillor. Mendoj se më tepër se ky pension është se ata  njerëz do të ndihen mirë, do tu respektohet puna dhe mundi  si dhe do të fitojnë titullin person i merituar për shtetësinë e Kosovës”, është shprehur ai.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë për portalin arbresh.info se u bë kohë e gjatë prej që Qeveria vetëm ka premtuar të bëjë diçka për këtë projektligj. Projektligji aktual sipas tij është i parealizushëm.

“U bënë, pothuajse dhjetë vjet që përflitet se do të miratohet një ligj i tillë, por deri tani nuk ka pasur asgjë konkrete në këtë drejtim, përveç dy draft-projektligjeve që janë refuzuar nga qeveritë e kaluar. Mendoj se këto drafte janë hartuar për t’u refuzuar. Derisa drafti i parë parashihte kompensime që Buxheti i Kosovës nuk ka gjasa t’i përballojë, ky i fundit është diç më ‘modest’, por përsëri i parealizueshëm. Mbase kjo Qeveri do të del me një draft të tretë që është akoma më “modest”, sa për t’i përmbushur premtimet zgjedhore që po dëgjohen tani 10 vjet”, theksoi ai.

Pupovci ka dhënë edhe një arsye se përse Qeveria nuk e merr përgjegjësinë për aprovimin e këtij ligji.

“Mendoj se Qeveria e ka të qartë se në vitet e nëntëdhjeta kanë vuajtur të gjitha kategoritë e popullsisë, prandaj do ta kishte shumë vështirë ta arsyetojë vendimin që kompensimi material për këtë vuajtje t’u takojë vetëm punonjësve të arsimit dhe unë mendoj se kjo është arsyeja kryesore pse askush nuk dëshiron ta merr përgjegjësinë për aprovimin e këtij ligji. Me këtë rast duhet të marrim parasysh se mësimdhënësit në vitet e nëntëdhjeta janë paguar, sado që pagat kanë qenë të pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet jetësore. Kjo e bën vendimin akoma më të vështirë”, deklaroi ai.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i personave që pritet të përfitojnë nga ky ligj është 20 mijë, të cilët edhe do të marrin pagesën e garantuar si pension ndërkaq, kompensimi do të ndodhë pas pensionimit të tyre./V.Berisha/arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme