13:55 | 9 Shtator 2016
Arbresh.info
Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Prishtinës nënshkroi sot Memorandum Mirëkuptimi me Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, me qëllim të zyrtarizimit të bashkëpunimit për zbatimin e praktikës profesionale të studentëve të dalluar që përgatiten për mësimdhënës në shkolla, si dhe për krijimin e kushteve për përgatitjen e mësimdhënësve mentorë në shkollat përkatëse.
Duke pasur parasysh se mësimi praktik për mësimdhënësit e ardhshëm zë një vënç kyç në formësimin dhe profesionalizimin e tyre, ky Memorandum specifikon hapat konkret të bashkëpunimit dhe përgjegjësitë institucionale për ngritjen e cilësisë në këtë drejtim.
Parimet e bashkëpunimit dhe obligimet e palëve nënshkruese
- Memorandumi është shprehje e vullnetit të dy anshëm për bashkëpunim në mes të Universitetit të Prishtinës gjegjësisht Fakultetit të Edukimit dhe autoriteteve komunale të arsimit në për implementimin e praktikës profesionale për mësimdhënësit e ardhshëm.
- Fakulteti i Edukimit dhe DKA Prishtinë bashkëpunojnë në identifikimin e mësimdhënësve adekuat që të mentorojnë studentët gjatë praktikës profesionale.
- Shkolla i ofron bashkëpunim profesorëve që janë mbikqyrës të cilët përcjellin punën e studentëve gjatë praktikës.
- Mësimdhënësit mentor dhe mbikqyrësit e Fakultetit do të bashkëpunojnë në vlerësimin e punës së studentëve praktikant gjatë praktikës profesionale;
- Shkolla ofron mbështetjen e nevojshme për studentët gjatë praktikës profesionale në mënyrë që jo vetëm të kenë kushtet dhe hapsirën e punës por edhe të mund të njihen me aspektet e përgjithshme të punës së mësimdhënësit në shkollë, pra edhe përtejë punës në klasë;
- Drejtori i shkollës e konsideron veten pjesë e sigurimit të cilësisë së mbarëvajtjes së praktikës profesionale të studentëve duke bashkëpunuar me mësimdhënësit për të siguruar që përvoja e studentëve praktikant është e cilësisë maksimale;
- Fakulteti i Edukimit angazhohet në identifikimin e studentëve e dalluar të cilët gjatë praktikës profesionale mund të caktohen nga DKA në shkollat ku mund të ketë nevojë për ndihmës të proceseve arsimore dhe zhvillimore varësisht nga politikat e DKA-s;
- Fakulteti i Edukimit ka për obligim të ofrojë udhëzues me shkrim për secilin mësimdhënës mentor lidhur me pritjet dhe proceset e praktikës profesionale në fazat e caktuara por në kohë të mjaftueshme para se studentët të shkojnë në shkollë;
- Fakulteti i Edukimit ofron udhëzime të qarta për shkollat dhe mësimdhënësit lidhur me standardet e vlerësimit të punës së studentëve gjatë praktikës profesionale;
- Fakulteti i Edukimit ofron një program zhvillimi profesional të akredituar për të gjithë mësimdhënësit që luajnë rolin e mësuesit mentor (Shiko Shtojcën 1 për detajet e implementimit të programit të trajnimit);
- Fakulteti i Edukimit ofron mundësinë e vazhdueshme të takimeve të mësimdhënësve mentor nga shkollat e ndryshme në forume të ndryshme për të shkëmbyer përvojat por edhe për të adresuar sfidat që dalin nga përvoja në mentorimin e studentëve.