Më 21 maj testi i arritshmërisë, më 27 rezultatet

08:01 | 27 Mars 2016
Arbresh.info

Janë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e testit të arritshmërisë në bazë të planit dinamik të punës, që më datë 21 maj të këtij viti, testit t’i nënshtrohen mbi 32 mijë nxënës të klasave të nënta në vendin tonë.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde (DVS) në Ministrinë e Arsimit (MASHT), Mustafë Kadriu, ka thënë për KosovaPress se këtë vit testi do të organizohet ende pa përfunduar mësimi, mirëpo për këtë vendim ai e ka një arsye.

“Jemi duke punuar me planin dinamik që e kemi përfunduar në fund të dhjetorit dhe sipas planifikimit testin e klasës së nëntë e kemi më 21 maj 2016. Tash bëhet pyetja pse bash në maj kur akoma janë nxënësit në mësim por edhe në shumë vende gjatë procesit të mësimit i organizojnë testet e jashtme kështu, mirëpo kjo datë është mjaft e përshtatshme sepse pas përfundimit të rezultateve, në momentin kur nxënësit e përfundojnë shkollën i marrin edhe pikët e testit dhe mandej mundësia e vazhdimit të shkollimit të mëtutjeshëm”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, sa i përket rëndësisë së organizimit të këtij testi, Mustafa ka theksuar se që nga viti 2004, kur ka filluar të aplikohet ky test në vendin tonë, ka bërë shumë diferencime në orientimin e nxënësve për shkollimin e mesëm të lartë.

“Në qoftë se ndalemi, pikërisht tek filozofia e testit të klasës së nëntë, e ka kuptimin e orientimit të nxënësit në shkollimin e mëtutjeshëm, arritshmëria kuptohet por edhe orientimin. Unë mendoj se testi i klasës së nëntë funksionin e vet e ka realizuar nga 2004 deri tash më 2016 dhe vërtetë e ka bërë një diferencim të nxënësve sipas rezultateve që i kanë arrit. Do me thënë për gjimnaze, nxënësit që kanë rezultate më të mira, varësisht prej drejtimeve në gjimnaze ku kanë rezultate më të mira shembull në gjimnazin e shkencave natyrore, gjimnazin natyror, do me thënë, nxënësit kryesisht duhet me pas pikë nga Fizika, Kimia, Biologjia edhe nga Matematika por te gjimnazi shoqëror duhet me pas pikë nga Historia Gjeografia dhe orientimisht shkojnë në ato shkolla”, është shprehur ai.

Udhëheqësi i DVS-së, Mustafë Kadriu ka deklaruar se tani janë duke u hartuar pyetjet e testit dhe ka shtuar se modeli i hartimit të pyetjeve është duke shkuar në drejtim të asaj që sa më shumë të ketë pyetje praktike në mënyrë që të dihet qartë në fund të testit se a është mësuar lënda e caktuar.

“Për klasën e nëntë testi organizohet një ditë në katër fusha: në fushën e gjuhës shqipe dhe gjuhë angleze 25 pyetje, 20+5, histori gjeografi 25 pyetje, matematikë dhe informatikë 25 pyetje dhe shkencave natyrore 25 pyetje që jep me kuptua 100 pyetej gjithsej dhe në bazë të maksimumit të pikëve që marrin nxënësit është 100, këtu nuk ka kalueshmëri por arritshmëri që e konsiderojmë që është edhe mosha edhe diskutimet që i kemi bërë të mëhershme edhe me vendor edhe ndërkombëtarë është e nivelit më të mirë të mundshëm sepse deri në klasën e nëntë në njëfarë mënyrë edhe është obligative dhe ata që kanë mundësi dhe e konsiderojnë veten se mund ta vazhdojnë shkollimin, pavarësisht nga drejtimet dhe rezultatet që i kanë arrit kanë mundësi të vazhdojnë shkollimin”, është shprehur Mustafa.

Testi i arritshmërisë këtë vit në vendin tonë organizohet më 21 maj, rezultatet shpallen më 27 të këtij muaji, derisa afati i ankesave është deri më 1 qershor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme