Mbikëqyrësit në testin e maturës, kësaj here më rigorozë me ata që kopjojnë

00:28 | 27 Gusht 2016
Arbresh.info
Mustafë Kadriu, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, ka thënë se gjithçka është gati për testimin e dytë të maturës për nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës.

Gjatë një interviste në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, ky zyrtar i ministrisë ka deklaruar se kësaj radhe mbikëqyrësit do të jenë më të ashpër dhe nuk do të lejojnë kopjimin me telefona.

“Ministria i ka bërë të gjitha përgatitjet që të realizohet provimi i maturës. Një prej problemeve më të mëdha që kemi, është kopjimi dhe përdorimi i telefonave celularë. Gjatë testit të kaluar, kemi ndërmarrë masat e ndëshkimit për ata që kanë tentuar të kopjojnë”.

“Maturantët s’duhet t’i marrin fare telefonat celularë, për shkak se do të jemi rigorozë për ata që kanë tendencë të kopjojnë. Mbikëqyrësit do të jenë rigorozë dhe nëpër klasë i kemi vetëm nga 15 nxënës”, ka deklaruar Kadriu.

Ai ka bërë me dije se testimi që do të zhvillohet të shtunën, në pjesën e parë do të jetë i fokusuar në pyetjet e gjuhëve dhe matematikës.

“Në pjesën e parë të testimit, nxënësit do të përgjigjen në pyetjet e lëndëve nga gjuha shqipe, gjuha angleze dhe matematika, kurse në shtator, do t’i nënshtrohen testit në lëndët e tjera. I kemi bërë të gjitha përgatitjet edhe në bashkëpunim me drejtoritë e arsimit të komunave”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme