Mbi 15 mijë mësimdhënës kundër, vetëm 150 për testin

16:46 | 15 Shtator 2016
M. A.

Këshilli i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit ka deklaruar se shumica e mësimdhënësve në nivel vendi janë deklaruar kundër mbajtjes së testit me shkrim të paralajmëruar nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Ndërkohë, kryesia e SBASHK-ut ka deklaruar se në takimet e fundit me ministrin, Arsim Bajrami, ky i fundit iu ka premtuar se nëse mësimdhënësit e kundërshtojnë një gjë të tillë, MASHT nuk do ta realizojë me forcë.

Por edhe pse për këtë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj nuk ka ndonjë vendim me shkrim, thotë se e ka premtim nga ministri Bajrami.

SBASHK ka thënë se grevë do të ketë për ligjin për Statusin e Mësimdhënësve të viteve të ’90-ta, ndërsa, pagat suplementare dhe shujta, e cila është kompetencë e komunave do të dërgohen përmes rrugëve gjyqësore.

 

“Pra, grevë do të ketë për ligjin mbi statusin e mësimdhënësve të viteve’90, gjyq do të ketë për komunat nëse nuk e realizojnë udhëtimin dhe tri pagat, ndërsa, po presim edhe çka do të ndodh me universitetin, së paku kërkesë e tyre është që të bëhet unifikimi i pagës bazë me pjesën stimulative për administratën, nëse nuk ndodh edhe kjo e ka premtime, atëherë do ta kemi edhe administratën më 1 tetor në grevë”, ka deklaruar Jasharaj për medie pas mbledhjes së Këshillit të SBASHK-ut.

Kurse, nëse MASHT do të mund ta organizojë testin edhe pa dashjen e mësimdhënësve, Jasharaj është shprehur se ministri nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi që nuk ka as bazë ligjore.

Ndërsa, nëse kjo ndodh, Jasharaj ka deklaruar se mësimdhënësit do ta bojkotojnë një gjë të tillë.

 

“Fillimisht ministri nuk mund ta bëjë këtë sepse nuk ka bazë ligjore sepse në asnjë dokument të deritashëm, as në ligjin për arsimin parauniversitar, as në ligjin mbi arsimin universitar, as në strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar që e ka aprovu edhe qeveria nuk ekziston as edhe fjala test me shkrim për mësimdhënësit, pra nuk ka bazë ligjore. Ai e ka thënë në takim me ne, nuk do të ketë test këtë vit, e unë prapë po e them me krejt përgjegjësinë, test nuk do të ketë asnjë herë deri në momentin sa nuk deklarohen ndryshe mësimdhënësit. Në qoftë se ministri e ndërron mendimin dhe e thirr mësimdhënësit për test, atëherë unë do të dal, e kam autorizimin edhe nga SBASHK-u dhe nga anëtarësim do ta thërras anëtarësinë që ta bojkotojnë dhe unë po ju garantoj testi do të jetë i bojkotuar, pra mësimdhënësit nuk do të shkojnë në test dhe asnjëri prej tyre nuk do ta gjej asgjë sepse i mbron ligji dh e i mbron edhe konventa ndërkombëtare”, ka deklaruar Jasharaj.

Sipas statistikave të SBAHSK-ut, nga 15 mijë e 52 mësimdhënës, 15 mijë e 372 janë kundër testit, kurse, 150 mësimdhënës janë për ta mbajtur testin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme