Google ADS

MASHT nxënësve u ofron punë praktike në kompani private, pa kompensim !

12:55 | 23 Tetor 2016
Arbresh.info

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka filluar nënshkrimin e disa marrëveshjeve me kompani të ndryshme private e publike, me qëllim të mundësimit të kryerjes së punës praktike për nxënësit e shkollave të mesme profesionale.

Mirëpo, për punën të cilën do ta kryejnë nxënësit në këto kompani, nuk do të kompensohen, pasi një gjë e tillë nuk është përfshirë në marrëveshjet e MASHT-it.

Po ashtu, MASHT nuk ka arritur ta fus si pikë të marrëveshjes as kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shujtës për nxënësit që do ta mbajnë një orar të punës në këto kompani.

Udhëheqësja e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Ryve Prekorogja, ka thënë për Kosovapress se për pagesën e shujtës dhe udhëtimit janë marrë vesh me fjalë por nuk kanë diçka të shkruar për një gjë të tillë.

“Ne paraprakisht kemi biseduar me ndërmarrje dhe ia kemi përshkrua qëllimin se çka po kërkojmë ne, një ndër pikat e kësaj marrëveshjeje  që  e kemi pas të vendosur se a munden ata me e mbulua shpenzimin për udhëtim edhe shpenzimin për ushqim apo edhe ndonjë mbulesë, stimulim për nxënës, mirëpo deri më tani thash që përveç ndërmarrjes “Solid” tjerat nuk kanë ofruar ndonjë mbështetje në këtë drejtim, kështu që ne kemi qenë të kënaqur edhe fillimin e bashkëpunimit me e rritë numrin e nxënësve për ta ushtruar praktikën në vendin e punës që edhe pa këto kritere me e vazhdua bashkëpunimin dhe e kemi vazhduar kështu por kjo nuk do të thotë se kjo do të vazhdoj në këtë formë por unë jam më se e sigurt që në vitet e ardhshme ndërmarrjet do ta ndryshojnë qëndrimin dhe me siguri që i shohin interesat e veta dhe janë të interesuar që sa më shumë nxënës të kalojnë në duart e tyre, t’i përgatisi n vet punëtorët”, ka thënë Prekorogja.

Megjithatë, për t’iu ofruar nxënësve punë praktike, MASHT deri më tani i ka nënshkruar gjashtë marrëveshje me disa kompani vendore.

“Prioriteti i MASHT-it është që të krijoj kushte që nxënësit të fitojnë shkathtësitë e nevojshme bazuar në kurrikulën që e kemi për arsim profesional ku parashihet që një pjesë e shkathtësive ose një pjesë e kurrikulës të organizohet edhe në ndërmarrje, në vende reale të punës që nxënësit të pajisen me shkathtësi të mjaftueshme për treg të punës. Për këtë qëllim ne kemi nënshkruar disa marrëveshje të themi nismë nga ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami me qëllim që t’ua lehtësoj shkollave sepse shkollat kanë pas marrëveshje bashkëpunimi me ndërmarrjet edhe përpara por ky bashkëpunim nuk ka qenë i nivelit të latë, të themi nuk janë përfshirë të gjithë nxënësit dhe për këtë qëllim është marrë iniciativa nga vet ministri Bajrami me qëllim që të ketë një përfshirje më të madhe të nxënësve në ndërmarrje. Deri më tani ne i kemi nënshkruar gjashtë marrëveshje bashkëpunimi me disa kompani s iç është Elkos, Al-Trade, Dukagjini etj.”, ka thënë ajo.

Ndërsa, përveç gjashtë nënshkrimeve, MASHT deri më tani ka arritur marrëveshje me rreth 40 kompani të ndryshme, të cilat sipas Prekoragjës kanë pranuar të bashkëpunojnë në këtë drejtim dhe ka mbet të nënshkruhen marrëveshjet.

Udhëheqësja e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur thotë se me marrëveshjet e nënshkruara, nuk është i kufizuar numri i nxënësve që mund të kryejnë praktikën, mirëpo detajet tjera sipas saj rreth numrit, kohëzgjatjes së praktikës etj, duhet t’i bëjnë shkollat.

Kurse, sa i përket vlerësimit të nxënësve, Prekoragja ka deklaruar se deri më tani mësimdhënësi e ka notuar nxënësin për mësimin teorik kurse menaxheri i ndërmarrjes për punë praktike.

“Deri më tani mësimdhënësi i lëndës së bashku me përgjegjësin e kompanisë, në kompani një përgjegjës, mentor i cili së bashku me mësimdhënësin e vlerëson me një notë sipas vlerësimit të tij, ndërsa edhe mësimdhënësi notën tjetër në teori dhe këto dyja kombinohen dhe del një notë mesatare. Në të ardhmen ne në Bazë të Ligjit për Arsim dhe Aftësim Profesional e kemi paraparë që të bëhet një panel dhe në panelin përmbyllës, vlerësimin përmbyllës që quhet vlerësim i brendshëm, në panel të jetë edhe përfaqësuesi nga bizneset, në këtë formë ne po duam me e shtrëngua më shumë  vlerësimin, me e pas një vlerësim objektiv dhe në momentin që e vlerëson ndërmarrja vet punëtorin e vet ë2shtë një përparësi shumë e madhe për nxënës dhe një mundësi shumë e madhe që ky nxënës të ketë mundësi punësimi”, është shprehur Prekoragja.

MASHT së shpejti pritet ta organizoj edhe një konferencë për punën praktike në të cilën pritet të marrin pjesë rreth 200 ndërmarrje me të cilat do të diskutohet mundësia e punës praktike dhe sfidat që dalin në këtë drejtim.

Puna praktike dhe marrëveshjet që po i bënë MASHT kanë për qëllim përgatitjen e nxënësve të shkollave profesionale për treg të punës.

Ndërsa, kjo nuk vlen edhe për gjimnaze pasi që nxënësit e tyre përgatiten për studime universitare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme