Google ADS

MASHT me memorandum mirëkuptimi për Programin e Vullnetarëve të Korpusit të Paqes

16:28 | 6 Prill 2018
Arbresh.info

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe drejtorja për Kosovë e Korpusit të Paqes, Darlene Grant, kanë nënshkruar sot Memorandum Mirëkuptimi, i cili përcakton rolet dhe përgjegjësitë e të dyja palëve në mbështetje të aktiviteteve që lidhen me Programin e Vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë, shkruan arbresh.info.

Në këtë ceremoni, e para që është nënshkruar nga institucionet e Kosovës në Rezidencën e ambasadorit të ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ministri Bytyqi theksoi rëndësinë që ka puna e vullnetarëve të Korpusit të Paqes në përmirësimin e mësimdhënies së gjuhës angleze në Kosovë, por edhe për shkëmbimin kulturor.

“Deri më sot, Kosova ka mirëpritur 120 vullnetarë, për të cilët shkollat tona dhe familjet tona kanë hapur dyert dhe kanë punuar e jetuar së bashku”, tha ministri Bytyqi, ndërsa ftoi të gjitha shkollat e Kosovës që të përfitojnë  duke aplikuar në këtë program.

“MAShT rikonfirmon përkrahjen e vazhdueshme për Programin e Korpusit të Paqes dhe këtë partneritet do të vazhdojmë ta rrisim dhe ta kultivojmë së bashku, duke e thelluar edhe më tej raportin e veçantë dhe miqësor në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ministri Bytyqi.

Ndërsa, ambasadori Delawie e përmendi si shembull të mirë faktin se nga 25 vullnetarët që gati kanë përfunduar shërbimin e tyre, janë katër persona të cilët do të vazhdojnë shërbimin edhe për vitin e tretë apo edhe të katërtin, sepse konsiderojnë se puna e tyre ende nuk ka përfunduar dhe kanë

ndjenjë të fortë përkushtimi ndaj Kosovës.

“Bashkëpunimi ndërmjes Republikës së Kosovës dhe Korposit të Paqes hap dritare të reja të mundësive për nxënësit, veçanërisht ata nëpër fshatëra, të cilët ndryshe nuk do të kishin qasje në mësimin e gjuhës angleze me dikë që gjuhën angleze e ka gjuhë amtare”, tha ambasadori Delawie.

Ndërsa, drejtorja për Kosovë e Korpusit të Paqes, Darlene Grant, theksoi se me programin e hapur në vitin 2014, Korpusi i Paqes në Kosovë është nderuar të jetë vendi i 140-të në shërbim, në historinë e Korpusit të Paqes.

Memorandumi i nënshkruar sot, bazohet në marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në lidhje me Programin e Korpusit të Paqes, të nënshkruar më 9 shtator 2013./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme