Google ADS

MASHT me kurrikulë për mësim plotësues të gjuhës shqipe në diasporë

12:21 | 3 Prill 2018
V. S.

Rreth 97 për qind e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në diasporë, nuk janë të përfshirë në mësimin plotësues të gjuhës së tyre amtare shqipe. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se ky është një alarm kulturor kombëtar, pasi shkolla është forma më e mirë e kultivimit të ndërgjegjes kombëtare. Ndërkohë, ka përfunduar dokumenti bazë së bashku me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, që është kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës e kulturës shqiptare në diasporë.

Mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë e ndjekin vetëm rreth 25 mijë fëmijë shqiptarë, ndërsa rreth 97 për qind e fëmijëve nuk janë të përfshirë në këtë proces. Nuhi Gashi, nga Zyra për Diasporën në Ministrinë e Arsimit, thonë   se është për të ardhur keq që nga 50 %  e shqiptarëve që jetojnë në diasporë të jenë vetëm rreth 1,5 % e fëmijëve të moshës së arsimit të detyrueshëm që ndjekin mësimin shqip. Ai tha se modeli më i mirë në përkujdesjen kulturore e arsimore, është shkolla, raporton radio kosova.

“Është për alarm kulturor kombëtar se prej atyre milionave qytetarëve që i kemi jashtë, deri në 50 % të shqiptarëve jetojnë jashtë atdheut. Prej të gjithë fëmijëve, aktualisht deri në 25 mijë fëmijë e ndjekin mësimin shqip në diasporë. Pjesa dërmuese, diku rreth 97 % të tyre nuk kemi arritur t’i përfshijmë në shkolla, kurse apo leksione të gjuhës dhe kulturës shqiptare”, tha Gashi.

Megjithatë, Gashi thotë se janë bërë disa hapa, ku janë nënshkruar disa marrëveshje Kosovë-Shqipëri dhe priten rezultatet pasi të ratifikohen ato në parlamente. Ai bëri të ditur se tani ka përfunduar një dokument me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, që është kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës e kulturës shqiptare në diasporë.

E Osman Ademi, mësues i gjuhës shqipe në shkollat publike të Austrisë, tha se në Austri janë rreth 2 mijë nxënës të përfshirë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Ai tha se vazhdimisht u bëhet thirrje prindërve për të dërguar fëmijët e tyre edhe në mësimin plotësues.

“Në Austri mësimi në gjuhën shqipe financohet nga organet kompetente. Prindërit duhet vetëm të regjistrojnë fëmijët e tyre dhe pastaj të ndjekin e të konsultohen edhe me mësuesit për të vazhduar normalisht edhe mësimin në gjuhën amtare”, tha Ademi.

Kosova, që nga viti 2010  shpërndan në diasporë falas tekstet shkollore në gjuhën shqipe. Gjithashtu, prej 13 vjetësh mbahen edhe seminare e konferenca, ku përfshihen mësimdhënësit shqiptarë të diasporës, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera./radio kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme