MASHT dënon kërcënimin ndaj ministrit Bajrami

10:06 | 20 Nëntor 2015
Arbresh.info

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e dënon kërcënimin me dhunë të kryer dje ndaj ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, nga përfaqësuesi studentor në Senatin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me inicialet R. K.

Më 19 nëntor 2015, në 18:36, ministri Bajrami ka pranuar mesazhe kërcënuese nga ky përfaqësues studentor në Senatin e Universitetit të Prishtinës, me qëllim të kanosjes me dhunë, pengimit në ushtrimin e detyrave zyrtare të Ministrit dhe thirrjen për rezistencë dhe mosbindje ndaj vendimeve të ligjshme, që paraqesin vepra penale të dënueshme sipas nenit, 128, 185, 409, 411 të Kodit Penal i Republikës së Kosovës.

“Kërcënime e tilla me dhunë, kanë për synim të pengojnë përkushtimin e MAShT për vendosjen e rendit akademik dhe ngritje të cilësisë në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si dhe të realizimit të interesave të kundërligjshme dhe në dëm të interesit të studentëve të Universitetit, përmes metodave të presionit dhe kërcënimit me dhunë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shpreh përkushtimin dhe vendosmërinë për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe i bën thirrje të gjithë studentëve që të jenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta për përmirësim të cilësisë së studimeve dhe shërbime në Universitet.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po ashtu, fton organet kompetente që të marrin masa në parandalimin dhe ndjekjen e kryerësve të akteve të tilla të ulëta të kërcënimeve me dhunë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme