Manipulimet e Testit të Maturës, paralajmërohen ndëshkime

08:35 | 29 Maj 2018
M. A.

Rreth 7700 maturantë të shkollave të mesme të Gjilanit dhe të Ferizajt të hënën i janë nënshtruar Testit të Maturës Shtetërore. Edhe ky Test u karakterizua me manipulime të ndryshme.

Këshilli i Maturës Shtetërore do t’i anulojë testet e maturës të atyre nxënësve që kanë publikuar fletëpërgjigjet në grupet e krijuara në rrjetet sociale.Nga ky ndëshkim nuk do të shpëtojnë as administratorët, të cilët keqpërdorën detyrën e tyre zyrtare duke ua lejuar nxënësve posedimin e telefonave gjatë mbajtjes së provimit.

Kështu ka paralajmëruar në një prononcim për gazetën “Zëri” kryetari i Këshillit Shtetëror të Maturës (KSHM) Fehmi Hysenaj.

“Për ata persona që kanë keqpërdorur detyrën do të merren masa ndaj tyre. Jemi duke i kompletuar të dhënat. Pra nxënësve, të cilët në grupet e mbyllura që kemi mundur t’i identifikojmë e që kanë vendosur aty fletëpërgjigje dhe teste do t’u anulohet testi. Atyre administratorëve që nuk kanë marrë masa për ndalim telefonash ose i kanë marrë telefonat i kanë vendosur në tavolinë do t’u publikohen emrat në uebfaqe dhe ata nuk do të jenë më asnjëherë pjesë e procesit monitorues”, ka deklaruar Hysenaj.

Pavarësisht keqpërdorimeve të shumta të raportuara në rrjetet sociale, Hysenaj e vlerëson procesin e Testit të Maturës më mirë se atë të viteve të kaluara

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme