Google ADS

KYC: Shqetësuese shpërndarja e testeve në rrjetet sociale

17:55 | 18 Qershor 2016
Arbresh.info

Këshilli Rinor Kosovar ka monitoruar sot procesin e Provimit të Maturës në 25 komuna të Kosovës, në 100 qendra të ndryshme të testimit.

Në një njoftim për media, nga ky këshill njoftojnë se ende mbetet shqetësues fakti i shpërndarjes së testeve dhe përgjigjeve në rrjetet sociale dhe të komunikimit.

“Gjatë këtij testimi monitoruesit tonë kanë vërejtur disa lëshime teknike nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në aspektin e shpërndarjes dhe klasifikimit të testeve. Në disa qendra ka pasur mungesë të testeve, testeve rezervë dhe po ashtu me raste ka pasur ngatërresa në mes të llojit të testit dhe llojit të fletëpërgjigjes”, thuhet në njoftim.

Më tej nga ky Këshill bëjnë të ditur se ambienti i mbajtjes së testit përgjithësisht ka qenë në nivelin e duhur, përpos faktit që moti i nxehtë dhe zhurma ka ndikuar me raste, si dhe në disa raste ka pasur mungesë të ujit.

“Ndikimi i monitorimit dhe raportimeve të shkeljeve nga Këshilli Rinor Kosovar karshi testit të parë dhe bashkëpunimit me MASHT, të cilët kanë ndërmarrë masa ndëshkuese çoftë për nxënësit që kanë shpërndarë testin dhe kanë bashkëpunuar, administruesve dhe mbikëqyrësve që kanë shkelur rregullat ligjore, ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e administrimit të mbarëvajtjes së testimit”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas sondazheve të tyre, në 100 qendra të testimit, janë evidentuar mbi 10 për qind të rasteve kur administrimi nuk ka qenë në nivelin e pritur. Ndërsa, në rastet e nxënësve, 44 për qind e tyre kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin dhe kanë kopjuar, sidomos nëpërmjet mjeteve teknologjike, për çka edhe janë përjashtuar 22 nxënës.

“Këshilli Rinor Kosovar ka monitoruar 100 qendra të testimit në 22 komuna të Kosovës, të cilat janë: Prishtinë, Prizren, Shtime, Skenderaj, Suharekë, Vushtrri, Pejë, Obiliq, Mitrovicë, Malishevë, Deçan, Dragash, Drenas, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Hani i Elezit, Lipjan, Kamenicë, Junik dhe Istog”, thuhet në fund të njoftimit./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme