Kosova jep 40 mijë euro për renovimin e një shkolle në Bujanoc

13:32 | 20 Tetor 2017
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës ka vendosur sot që të ndajë 40 mijë euro për renovimin e një shkolle në Bujanoc.

Kërkesa për këtë ka ardhur në mbledhjen e sotme të Qeverisë nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili para pak ditësh ka qëndruar për një vizitë në Luginë, shkruan arbresh.info.

Ministri Tahiri tha se Bujanoci ka nevojë emergjente për investim në arsim.

“Gjatë vizitës time zyrtare në luginën e Preshevës pata rastin të njoftohem nga afër me sfidat dhe problemet që ballafaqohen banorët e kësaj zone. Kërkoj të ndahen mjete në vlerë prej 40 mijë për renovimin e shkollës për komunën e Bujanocit”, ka thënë Tahiri duke shtuar se këto mjete do të ndahen nga Ministria e Drejtësisë.

Kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar lartë këtë kërkesë duke thënë se është dakord me të.

“Është një veprim humanitar renovimi i një shkolle. Jam dakord”, ka thënë Haradinaj i cili më pas e hodhi në votim kërkesën.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme