Në programin Mjekësi e Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë kanë plotësuar kriteret e provimit pranues dhe ato të konkursit 349 të rinj, por nga ky numër janë pranuar vetëm 150. Jashtë listave të të pranuarve kanë mbetur edhe kandidatë për studentë në programin Stomatologji, pavarësisht se i kanë plotësuar kriteret e konkursit. Disa prej këtyre të rinjve kanë protestuar para Rektoratit duke kërkuar rritjen e numrit të studentëve në këto drejtime. Por udhëheqës të Universitetit të Prishtinës theksojnë se rritja e numrit të studentëve nuk bëhet me kërkesa.
Ilirjana Hoxhaj në testin e maturës shtetërore ka arritur të marrë 147 pikë, si dhe në provimin pranues në Fakultetin e Mjekësisë në Programin Mjekësi e Përgjithshme ka arritur 20 pikë, por pavarësisht rezultateve të mira ajo ka mbetur jashtë listës së studentëve të pranuar në Mjekësi, me arsyetimin se është plotësuar numri i paraparë nga Rektorati dhe Ministria e Arsimit.
Ilirjana tregon se mundi për përgatitjen e provimit pranues në Mjekësi dhe shpenzimi i mjeteve materiale për tetë muaj rresht nga 70 euro për kurse në lëndët biologji dhe kimi nuk iu shpërblye, edhe pse plotësoi çdo kriter të kërkuar nga konkursi për pranimin e studentëve të rinj në UP.
“Edhe pse i kam kaluar të gjitha kriteret në fakultetin e mjekësisë prapë nuk jam pranuar, kjo për neve është shumë shqetësuese se kam përfunduar edhe kurse private se nuk ka mjaftuar vetëm ajo në shkollë që e kam mësuar, i kam bë privat edhe kimi edhe biologji dhe në fund gjithçka është e pa shpresë…” ka thënë Ilirjana Hoxhaj – Kandidate për studente në Mjekësi të Përgjithshme UP.
Edhe kandidati Krenar Tërrstena ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë pjesë e Programit të Stomatologjisë, por ka mbetur jashtë liste pavarësisht që ka arritur 152 pikë në testin e maturës dhe 16.62 pikë në provimin pranues në Fakultetin e Mjekësisë.
“Katastrofë është kjo për një të ri, nuk e lejon me u zhvillu do të thotë vet shteti, kanë kapacitete me rritë numrin dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë dhe ai i ri demoralizohet edhe normal që ai pastaj kërkon të dal jashtë shteti…” ka thënë Krenar Tërrstena – Kandidat për student në Mjekësi të Përgjithshme UP.
Përveç këtyre dy kandidatëve, në Programin Mjekësi e Përgjithshme, përveç numrit të caktuar prej 150 studentëve, rezultate kanë treguar edhe 199 të rinj të tjerë, e të cilët për shkak të kuotave kanë mbetur jashtë listave të të pranuarve. Edhe në Programin e Stomatologjisë, është plotësuar numri duke u pranuar 70 studentë të rinjë, e jashtë listave kanë mbetur 22 kandidatë.
Për këtë çështje një grup prej 30 kandidatëve për studentë në këto drejtime kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar rritjen e numrit të studentëve në këto dy programe: Mjekësi e Përgjithshme dhe Stomatologji.
“Provimi pranues ka pas pragun 16 pikë, e shumica që ne jemi këtu kemi 23 pikë ose më shumë” ka thënë Ardit Jetishi – Kandidat për studentë në Mjekësi të Përgjithshme UP.
Por pavarësisht deklaratave publike të dhëna për RTK një muaj më parë nga Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu dhe zëdhënësi i SHSKUK-së, Shpend Fazliu, se ka hapësira infrastrukturore për mbajtjen e ligjëratave dhe kryerjen e punës praktike edhe për numrin e mbetur jashtë listave të kandidatëve për studentë, në Rektoratin e UP-së e thonë të kundërtën. Sipas tyre, këtë vit nuk ka rritje të numrit të studentëve.
“Në momentin që ai Fakultet e ka dhënë propozimin për atë numër aty përfundon ajo çështje për atë vit. Ato mund të jenë subjekt i trajtimit për vitet e ardhshme akademike sipas nevojës pastaj vjen edhe rritja e numrit por për këtë vit ka përfunduar, edhe një muaj fillojmë me mësim dhe nuk mundemi me u marrë me rishikim të kapaciteteve të fakulteteve” ka thënë Naser Sahiti – Prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve.
Drejtues të Federatës Sindikale të Shëndetësisë veprimin e Fakulteti të Mjekësisë. Rektoratit të UP-së dhe Ministrisë së Arsimit, përkatësisht lënien jashtë listave të të pranuarve 199 kandidatëve për studentë të rinj në Mjekësi të Përgjithshme dhe 22 të tjerëve në Stomatologji, të cilët kanë plotësuar kriteret e konkursit i cilësojnë skandal qeveritar.
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...