Google ADS

Kërkohet përjashtimi i Enver Hasanit nga UP-ja

15:31 | 18 Tetor 2017
Arbresh.info

ORCA ka marrë me shqetësim lajmin përmes medieve se profesori i rregullt Enver Hasani, është shpallur fajtor për afera korruptive gjatë kohës sa ka qenë rektor në UP.

ORCA kërkon që Universiteti i Prishtinës menjëherë të fillojë procedurat për përjashtimin e tij nga institucioni publik pasi ka shkelur një sërë pikash të Kodit Etik të Universitetit të Prishtinës dhe rregulloreve të brendshme relevante.

Ndaj të apostrofuarit për marrjen e masave, organet gjegjëse mund të thirren në nenin 5, nenin 6, nenin 13, nenin 14, nenin 15 dhe nenin 16 të Kodit të Etikës në Universitetin e Prishtinës.

Më specifik rreth këtij rasti është neni 16, pika 2 e Kodit të Etikës në Universitetin e Prishtinës në të cilën shihet si shkelje etike “Kryerja e veprës penale, e cila ka çuar në dënim nga një gjykatë dhe e cila qartë e demonstron papërshtatshmërinë për të vazhduar si një anëtar i stafit akademik”.

Edhe më saktë flet Rregullorja për Masat dhe Procedurat Disiplinore Ndaj Personelit Akademik të Universitetit të Prishtinës në nenin 6 të saj në pikat 1.11

“Dëmtimi i pronës së institucionit me paramendim”; 1.17 “Keqpërdorimi apo përdorimi i paautorizuar i fondeve të besuara publike për përfitime personale ose në interes të personave të tjerë”; 1.18 “Kryerja e aktiviteteve që bien ndesh me interesat e institucionit apo veprimet që e dëmtojnë institucionin”.
ORCA pret që masat të jenë të shpejta, të sakta dhe të ashpra me qëllim të mbrojtjes së imazhit të Universitetit të Prishtinës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme