Google ADS

Kërcënohen me vrasje inspektorët e arsimit

09:30 | 2 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Dy inspektorët e kërcënuar kanë deklaruar për “Zërin” se i njëjti mësimdhënës i kishte kërcënuar edhe një ditë më parë (të hënën) në ambientin e Komunës së Obiliqit.

Dy inspektorë të arsimit janë kërcënuar me likuidim fizik. Inspektorët Besa Halimi-Zagraxha dhe Sabri Sadriu kanë marrë kërcënimin të martën, rreth orës 08:30 të mëngjesit në zyrën e tyre, nga një mësimdhënës i komunës së Obiliqit.

Mësimdhënësi ka hyrë në zyrat e Inspektoratit, në Prishtinë, që ndodhen në objektin e Ministrisë së Arsimit, pranë objektit të Fakultetit Juridik dhe atij Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, duke kërcënuar me jetë të dy inspektorët, pasi që këta dy të fundit kishin filluar një ditë më parë një inspektim rreth ndarjes së orëve mësimore në shkollën e mesme profesionale “Hasan Tahsini”, në komunën e Obiliqit. Rasti është denoncuar edhe në Polici, ndërsa Drejtoria Komunale për Arsim (DKA) ka vendosur të shqyrtojë rastin në tërësi dhe më pas të dalë me vendim zyrtar.

Drejtori i zyrës së Departamentit të Inspektoratit të Arsimit në MASHT, Dëfrim Gashi, ka pranuar se dy inspektorë janë kërcënuar. Ai për “Zërin” ka thënë se për kërcënimin janë njoftuar edhe organet e rendit. Ndërsa, dy inspektorët e kërcënuar kanë deklaruar për “Zërin” se i njëjti mësimdhënës, identiteti i të cilët nuk është bërë publik nga MASHT-i, i kishte kërcënuar edhe një ditë më parë (të hënën), në ambientin e Komunës së Obiliqit dhe po ashtu kërcënimin e kishte përsëritur edhe të martën brenda institucioneve tjera të Kosovës – MASHT-it.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme