Skema e përftimit të mbi 10 mijë eurove nga katër profesorë të UP-së, e realizuar gjatë kohës kur drejtonin përkohësisht Universitetin e Gjakovës, është zbuluar nga Auditori i Përgjithshëm. Ministria e Arsimit vlerëson se veprimi i tyre përbën shkelje të rëndë ligjore. Prijësi i katër profesorëve, Bajram Nuraj, e pranon se vendimet mund të përbëjnë shkelje ligjore. Por, sipas tij, ishin të arsyeshme dhe të domosdoshme.
Bajram Nuraj, profesor i fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, përpiqet që të minimizojë gjetjet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, të cilat e ngarkojnë rëndë për keqpërdorimin e mbi 10 mijë eurove.
Ai është i vetëdijshëm që ka bërë shkelje të procedurave ligjore gjatë kohës sa drejtonte përkohësisht Universitetin e Gjakovës. Por, thotë se nuk e ka pasur qëllimin e keq.
“Nëse prej të gjitha punëve që janë bërë në Universitetin e Gjakovës, auditori ka gjet parregullsi vetëm në këtë pikë, atëherë i bjen që është menaxhu mirë universiteti”, thotë Nuraj, i cili ka mbajtur postin e kryetarit të këshillit drejtues dhe ushtruesit të detyrës së rektorit në Universitetin e Gjakovës.
Ai shton se auditori i ka ekzagjeruar vendimet që janë marrë vitin e kaluar. Ky fakt, sipas tij, tregon se auditori duhet të ketë qenë “ose i shtyrë nga dikush ose njeri që nuk e njeh mirë fushën”.
Nuraj nuk e di se kush e ka audituar Ministrinë e Arsimit, nën ombrellën e të cilës operon Universiteti i Gjakovës.
Zakonisht një institucion auditohet nga një grup auditorët. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i publikon në faqen zyrtare raportet për organizatat buxhetore, por nuk bën publik emrin e auditorëve që kanë kryer auditivin.
Gjetjet e ZAP-it që ndërlidhen me menaxhmentin e kaluar të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, të kryesuar nga Nuraj, tregojnë për keqpërdorimin e 10 mijë e 851 eurove, nëpërmjet vendimeve të marra në fillim të vitit 2015.
Bajram Nuraj gjatë kohës kur ushtronte detyrën e udhëheqësit të Universitetit të Gjakovës.
Skema e keqpërdorimit të mbi 10 mijë eurove
Keqpërdorimi i këtyre mjeteve, sipas auditorëve, është bërë në bashkëveprim mes katër profesorëve universitarë, të cilëve iu printe Bajram Nuraj.
Tre tjerët kanë mbajtur përkohësisht postet e prorektorëve të Universitetit të Gjakovës. Ata janë: Gazemend Qorraj, Isa Elezaj dhe Kastriot Buza.
Të katërtit janë të punësuar si profesorë të Universitetit të Prishtinës. Nuraj është profesor i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë dhe ligjëron lëndën e Anatonisë në UP. Kastriot Buza është profesor i asocuar në Fakultetin e Edukimit, po ashtu në UP. Gazmend Qorraj është profesor i asocuar në Fakultetin Ekonomik; dhe Isa Elezaj është profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës
Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm tregohen detajet e vendimeve që janë marrë nga grupi i kryesuar nga Nuraj.
Gjithçka kishte nisur me vendimin e marrë në fund të vitit 2014 nga Ramadan Zejnullahu, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Raporti tregon se në fund të vitit 2014, Rektori i Universitetit të Prishtinës kishte marrë vendim për ndalesën e pagave për stafin akademik që ishin të angazhuar në dy vende pune publike.
Si pasojë e këtij vendimi, UP-ja ua kishte ndalur pagat për 2 muaj (dhjetor dhe janar 2014/2015) tre prorektorëve dhe kryetarit të këshillit të përkohshëm drejtues të Universitetit të Gjakovës, që ishte njëkohësisht edhe u.d. i Rektorit.
Të katërtit ishin edhe mësimdhënës në UP dhe, sipas vendimit të Zejnullahut, nuk iu takonte paga nga Universiteti i Prishtinës.
Katërshja e profesorëve nuk kishin qëndruar duarkryq. Ishin mobilizuar për të mos u dëmtuar nga vendimi i Zejnullahut. Kishin arritur ta bënin një gjë të tillë, në fillim të vitit 2015. Mirëpo veprimi i tyre shihet si i kundërligjshëm nga Auditori i Përgjithshëm.
“Megjithatë gjatë 2015, u.d. Rektori kishte marrë një vendim për të paguar pagat e tre profesorëve për punën të cilën e kanë kryer në Universitetin e Prishtinës (organizatë tjetër buxhetore) përfshirë edhe pagën e vet (në shumë totale prej 10,851€)”, thuhet në raportin e auditorëve.
Për më keq, sipas raportit, pagesat nuk ishin bërë nga kategoria Paga por nga linja Mallra dhe Shërbime, përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta.
“Në arsyetimin e marrëveshjeve, përcaktohet se këto mjete do t’i kthehen Universitetit të Gjakovës sapo ato të pranohen nga Universiteti i Prishtinës”, thuhet në raport.
Auditori i Përgjithshëm ka vlerësuar “pagesat për punën e kryer në një organizatë tjetër buxhetore janë të pa ligjshme dhe potencialisht mund të konsiderohen si keqpërdorim i parasë publike”.
“Rektori i Universitetit të Gjakovës duhet të siguroj trajtimin e menjëhershëm të kësaj çështje dhe të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për të kthyer mjetet e paguara padrejtësisht, në buxhetin e Universitetit. Njëkohësisht duhet të siguroj evitimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen”, potencohet në raport.
Tre ish-prorektorët e Universitetit të Gjakovës: Gazmend Qorraj, Isa Elezaj dhe Kastritot Buza
Ministria e Arsimit: Është shkelje e rëndë ligjore
Aktualisht, Rektor në Universitetin e Gjakovës është Shaban Buza. Insajderi e ka pyetur atë se çfarë vendimi do të marrë lidhur me këtë gjetje të auditorëve. Nuk ka dashur të jap përgjigje lidhur me këtë çështje.
Rektori aktual është vëlla i njërit prej të përfshirëve në këtë rast, Kastriot Buzës.
Përveç Rektorit Buza, përgjigje në pyetjet e dërguara nga Insajderi nuk ka dhënë edhe Kastriot Buza e Isa Elezaj.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka vlerësuar se i përket organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast.
Faton Fetahu, zyrtar i kësaj ministrie, i ka thënë Insajderit se MASHT nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në aktivitetet buxhetore të universiteteve publike. Sipas tij, universitetet publike i kanë autorizimet e plota ligjore për planifikimin, realizimin dhe ekzekutimin e buxheteve të tyre.
“MASHT pajtohet plotësisht që kjo paraqet një shkelje të rëndë të ligjit dhe inkurajon fuqishëm organet përkatëse të drejtësisë për hetimin dhe vlerësimin e këtij rasti, dhe gjitha rasteve të tilla të keqpërdorimeve”, ka thënë Fetahu.
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” është themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në maj të vitit 2013. Dy vjet ka funksionuar nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës, me një autonomi të kufizuar financiare. Është pavarësuar më 13 maj të vitit 2015.
Për gati dy vjet, që nga themelimi e deri në shkurt të vitit 2015 është drejtuar nga Nuraj dhe tre prorektorët: Buza, Elezaj dhe Qorraj.
Në shkurt të vitit të kaluar ata dhanë dorëheqje dhe vazhduan punën vetëm në Universitetin e Prishtinës.
Vendimi i tyre erdhi si pasojë e atij të Ramadan Zejnullahut, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës.
Vendimi i Zejnullahut iu kërkonte të gjithë profesorëve që mbajnë dy vende pune me pagë primare, që të përcaktoheshin se cilën dëshirojnë ta mbajnë si primare. Nuraj dhe të tjerët ishin përcaktuar për UP-në.
Nuraj thotë se ka punuar qe tridhjetë vite në Universitetin e Prishtinës dhe nëse do të përcaktohej për pagë primare në Gjakovë, ku kishte post të përkohshëm, atëherë do të humbte vendin e rregullt të punës në UP.
Ngjashëm pohoi edhe Gazmend Qorraj, ish-prorektor në UP. Të dy gjatë intervistimit pohuan se kanë bërë shkelje procedurale ligjore nga frika se mund të humbin vendin e punës në UP.
“Auditori gabon kur konkludon se jemi paguar për punën e bërë në UP. Jo, ne jemi paguar për punën e bërë në Gjakovë. Pasi që UP-ja nuk ekzekutoi pagat për dy muajt-dhjetor e janar- ne vendosim që si pagë primare ta përcaktojmë punën në Gjakovë”, deklaroi Nuraj për Insajderin.
Por, të katërtit janë paguar nga linja e shpenzimeve Mallra e Shërbime e jo nga Pagat.
Nuraj thotë se përcaktimi për pagë primare ishte bërë në mënyrë jo zyrtare. Por, sipas tij, vendimi i tyre është bërë për ti’u kundëvënë atij të Zejnullahut, të cilin e vlerësoi si shumë të dëmshëm.
“Nëse do të paguheshim zyrtarisht nga linja e pagave, atëherë në MAP do të figuronte në sistem se kemi pagë primare në Universitetin e Gjakovës dhe Universiteti i Prishtinës do të na fshinte nga lista e pagave primare”, shton Nuraj, i cili pranon se ka bërë shkelje ligjore.
Por, Nuraj thotë se “kjo shkelje e vogël është për ta eliminuar një rrezik më të madh që kanosej e që ishte largimi nga UP-ja, në rast se do të zbatohej ligji në tërësi sa i përket pagesës prej 10 mijë eurosh”. /Insajderi.com
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...