Kandidatët e farmacisë dhe stomatologjisë paralajmërojnë grevë urie

15:36 | 30 Korrik 2015
Arbresh.info

Kandidatët për drejtimin e farmacisë dhe atë të stomatologjisë po protestojnë për herë të tretë. Ata kërkojnë që të zbatohet vendimi i Ministrisë së Arsimit që lejon më shumë vende studimi në këto dy drejtime.

Lyra Namani në emër të grupit të kandidatëve të pakënaqur të stomatologjisë dhe farmacisë ka thënë se ministria më  6 korrik ka marrë vendim që të pranojë në Stomatologji 70 studentë dhe 40 në drejtimin Farmaci.

“Në vendim të ministrisë me vulë dhe nënshkrim të ministrit shkruan që UP-ja duhet të zbatojë vendimin e ministrisë. Por, UP-ja një ditë më vonë ka vendosur të pranohen 30 farmaci dhe 50 stomatologji. Kështu që ka reduktuar numrin stomatologji për 20 veta dhe në farmaci për 10 veta”, tha Namani, raporton Zëri.

Ajo ka thënë se kandidatët kërkojnë anulimin e vendimit të UP-së dhe të zbatohet vendimi i 6 korrikut, të ministrisë.

“Pardje kemi bërë kërkesë në ministri, është protokolluar. Rektorati nuk po na merr parasysh hiq”.

Namani tha se kanë përkrahjen e dekanatit. Ajo tha se është dita e tretë që po protestojnë.

“Një ditë kemi protestuar para dekanati, na kanë thanë shkoni në Rektorat, ditën e dytë kemi protestuar tek Rektorati, sot para ministrisë. Nëse brenda dy ditëve nuk na kthejnë përgjigje pozitive në kërkesën tonë, do të bëjmë grevë urie para ministrisë, prej të shtunës bashkë me prindërit tanë”, tha Namani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme