Google ADS

“Kampusi i errësirës”

10:51 | 28 Mars 2016
Arbresh.info

Se dija ndriçon mendjen, kjo është e vërtet, por se edhe kampusin e Universitetit “Hasan Prishtina”, natën mund ta ndriçojë “dija”, kjo është e vështirë për t’u besuar. Kampusi i vetëm i studentëve të Universitetit të Prishtinës, në të cilin jetojnë mbi 10 mijë të studentë, netët i ka në mëshirën e dritës së hënës e cila mund të ndriçojë me raste oborrin e këtyre objekteve.

Studentë dhe qytetarë të cilët mbrëmjeve apo orëve të natës u bie rruga për nga territori i kampusit të UP-së, u duhet të kenë kujdes gjatë ecjes. I gjithë ky vend është pa ndriçim, duke e bërë që ata të cilët kalojnë përmes tij të ndihen të rrezikuar.

Frikën më së shumti ja kanë studentët, të cilët në disa raste kanë hasur në narkoman dhe qenë endacak.

Të intervistuar nga KosovaPress, disa nga “banorët” e kampusit, tregojnë se si mundohen që orët e vona të natës të mos i gjejnë jashtë, ngase kthimi në objektet e tyre të banimit mund të ketë të papritura.

Valoni është njëri nga ta. Ai tha se përreth kampusit të tyre ka narkomanë të cilët edhe dinë të sulmojnë.

Është vështirë se nuk mundesh me ditë se po ballafaqohesh me ndonjë rrezik, mundet me qellu ndonjë narkoman, sepse këtu kam dëgjuar se ka raste kur ka pas narkomanë që kanë ditë edhe me sulmua. Unë kisha rekomandua që njëra prej prioriteteve të kishte me qenë për me e ndriqu këtë vend. Këtu është edhe Biblioteka Kombëtare, ku studentët kalojnë dhe duhet me pas edhe siguri më të posaçme. Më ka rastisë me pa qenë endacakë dhe persona të cilët kanë qenë ndoshta nën efektin e drogës, sepse kanë lëshuar zhurma të ndryshme, kanë bërtit, kanë ditë ndonjëherë edhe me u sjellë çuditshëm, mirëpo unë kam vazhduar rrugën time.

Është edhe Arbëri, një tjetër studentë, i cili kthimet e tij nga Biblioteka i ka të sikletshme. E ndiej vetën në rrezik kur më duhet të kthehem në objekt, thotë ai.

“Është shumë vështirë me kalu kur nuk ka ndriçim. Zakonisht kthehem prej bibliotekës dhe më pengon shumë sepse nuk i njohë njerëzit që kalojnë dhe e ndjej vetën në rrezik… Po janë dy rreziqe, prej qenve endacak dhe prej personave, sepse kam dëgjuar që këndej nuk ka persona të mirë, në terr është shumë rrezik dhe frikësohem boll”, tha ai.

Mungesa e ndriçimit në objektin që mbanë mbi 10 mijë studentë të UP-së, nuk është në kompetencë të Komunës së Prishtinës. Territori i brendshëm i këtij kampusi është kompetencë e Rektoratit të Universitet të Prishtinës, tha për KosovaPress Miranda Mullfazliu, nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Prishtinës.

“Kampusi i universitetit, pr a i gjithë territori që është brenda rrethojave të universitetit është nën menaxhim të Universitetit të Prishtinës dhe Rektoratit, duke përfshirë ndriçimin, gjelbërimin, mirëmbajtjen, etj. Komuna e Prishtinës nuk ka asnjë kompetencë apo obligim ndaj Universitetit të Prishtinës, për mirëmbajtje të këtij territori”, tha ajo.

Ndërsa, nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, pas dy javësh përpjekje për të marrë përgjigje në lidhje me këtë çështje, i thanë KosovaPress-it se që në vitin 2013 ishte planifikuar projekti për ndriçimin e kampusit, por më vonë është anuluar.

Ilir Hajdari, nga Departamenti i Financave në Rektoratin e UP-së, në përgjigjen e kthyer përmes postës elektronike, nuk ka dhënë arsyet se pse është anuluar ky projekt, ndërsa ka thënë se as me buxhetin e UP-së për vitin 2016, nuk është parapar ë realizimi i ndonjë projekti për ndriçimin e këtij territori.

 

“Menaxhmenti i Universiteti në buxhetin e vitit 2013 ka pasur të planifikuar projektin kapital, ndriçimi i hapësirave të kampusit, i cili me vonë është anuluar nga organet e Universitetit. Universiteti në buxhetin e vitit 2016 nuk ka të paraparë ndonjë projekt kapital për ndriçimin e Kampusit Universitar. Universiteti është në procedurë të zgjedhjes së menaxhmentit të ri, e sigurisht se menaxhmenti i ri do të merret me këtë problem”, tha Hajdari.

Megjithatë, edhe përkundër probleme të këtij lloji, interesimi i studentëve për të qenë pjesë e këtij kampusi universitarë vazhdon të jetë i madh. Si i tillë, ai plotëson nevojën e qëndrimit në kryeqytet të mija studentëve që vijnë nga komunat tjera të Kosovës, dhe jo vetëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme