Google ADS

Thellohet bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” dhe Universitetit të Bursës

19:06 | 11 Maj 2015
M. A.

Drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe ata të Universitetit Teknik të Bursës, janë pajtuar që të thellojnë bashkëpunimin e nisur vitin e kaluar.

Për këtë qëllim të hënën është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga rektori i Universitetit të Mitrovicës Alush Musaj dhe homologu i tij nga Universiteti Teknik i Bursës, Arif Karademir, i cili qëndroi në Mitrovicë së bashku me një delegacion të kombinuar edhe nga Komuna e Bursës si dhe shoqatat shqiptare që veprojnë në atë qytet të Turqisë.

Gjatë takimit të dy rektorët shprehën gatishmërinë e tyre që të angazhohen me të gjithë bashkëpunëtorët që studentët dhe mësimdhënësit të bëhen pjesë e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy universiteteve.

Ata e vlerësuan si shumë të rëndësishme që të bëhen hapa praktikë në mënyrë që studentët dhe mësimdhënësit të përfitojnë nga ky projekt.

Rektori Musaj, falënderoi rektorin Karademir, për gjithë mbështetjen e ofruar për Universitetin e Mitrovicës.
Në anën tjetër, rektori Karademir, u shpreh shumë i lumtur që kanë nisur një bashkëpunim që po ecën mirë.

Në takim u vlerësua me rëndësi të madhe shtrirja e bashkëpunimit me komunitetin dhe në këtë drejtim në rend të parë me kompanitë private. Një aktivitetet i tillë, u tha se do të ndihmonte edhe zhvillimin ekonomik që është prioritet jo vetëm për Kosovën dhe Turqinë, por për të gjitha vendet e Ballkanit.

Në takimin e mbajtur në Universitetin e Mitrovicës u shtrua edhe mundësia e themelimit të një konference që do të bashkonte rektorët e universiteteve të vendeve ballkanike. Rektorët u pajtuan që kjo fillimisht të nis me këtë bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Mitrovicës dhe Universitetit Teknik të Bursës për t’u zgjeruar mandej dhe në vendet tjera.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Shoqatës Shqiptare, Rexhep Gunduz. Ai u shpreh i lumtur me lidhjet që po krijohen mes institucioneve, universiteteve dhe popullit të Turqisë dhe të Kosovës.

“Prej rreth 3 milionë banorëve në Bursë, gjysma janë me prejardhje shqiptare. Vizitat e ndërsjella forcojnë lidhjen tonë dhe hapin mundësi prosperiteti për të gjithë”, tha Gunduz.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme