Emërimi politik i drejtorëve dhe mësimdhënësve e dëmtoi Kosovën në PISA (VIDEO)

14:13 | 27 Prill 2017
Arbresh.info

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë ka organizuar sot një panel diskutimi me temën “Çfarë pas PISA? Cilat janë reformat e nevojshme në arsimin kosovar për të përmbushur kërkesat nga  PISA?”.

Me këtë rast u përmenden disa faktorë që ndikuan në cilësinë e ulët të arsimit në Kosovë duke e vënë si parësor emërimin politik të drejtorëve dhe mësimdhënësve nëpër shkolla, shkruan arbresh.info.

Dukagjin Popovci, profesor universitar dhe njohës i çështjeve të arsimit tha se që nga paslufta në Kosovë, stafi i shkollave është përzgjedhur në mënyrë krejtësisht politike.

Ai tha se në Kosovë është investuar vetëm në nivelin e burimeve kurse jo tek proceset dhe strukturat.

“Cilësia e dobët e arsimit bënë që vendi ynë të ngel në raport me vendet e tjera. Në luftë ka qenë edhe Kroacia por 18 pas luftës, Kroacia është futur në BE. A jemi të përgatitur që të bëjmë veprime që janë të planifikuara mirë si në nivelin e burimeve po ashtu edhe të strukturave?. Nevojitet ndryshimi i metodave, ndryshim i mënyrës së rekrutimit të drejtorëve e mësimdhënësve”, është shprehur Popovci.

Ai ka shtuar se nxënësit kosovarë në testin e PISA-s kanë qenë shumë dobët në krahasim me vendet e Evropës.

Sipas tij, derisa në këto vende rreth 20 për qind e nxënësve kanë performuar nën nivelin minimal të leximit, matematikës e shkencës, në Kosovë niveli ka qenë deri në 77 për qind.

Salie Gajtani-Osmankaq, gazetare dhe njohëse e çështjeve të arsimit ka thënë se gjendja pas rezultatit të PISA-s nuk ka ndryshuar aspak pasi Qeveria, siç ka thënë ende vazhdon të mos e shpall arsimin si interes nacional.

Ajo ka thënë se ekspertët e PISA-s kanë deklaruar se gjithçka rreth cilësisë në arsim lidhet me arsimin parafillor.

“Ekziston nevoja për një reformim të thellë dhe në këtë reformë duhet të preken mësimdhënësi sepse është mësimdhënja jo cilësore ajo që na ka lënë këtu.  Mësimdhënësit janë zgjedhur me preferenca familjare, politike dhe jo me cilësi, jo me notë mesatare dhe jo me argumente të tjera”, ka thënë Gajtani-Osmankaq.

Ndërkaq, Fatmir Elezi nga MASHT tha se këtë vit pilotimi për testin PISA do të bëhet në 43 shkolla dhe për këtë pilotim janë përzgjedhur 53 nxënës./Arbresh.info.

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1396071823791239/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme