Google ADS

Ekspertët: Provimi shtetëror për studentët, i jashtëligjshëm

14:12 | 11 Mars 2018
Arbresh.info

Mundësia e një provimi shtetëror, që planifikohet për studentët pas përfundimit të provimeve të një programi të caktuar, nuk parashihet në legjislacionin në fuqi, thonë ekspertët e arsimit. Ndërsa, kohë më parë, Ministri i Arsimit Shyqiri Byryqi, ka thënë se në vazhdën e reformave që ka ndërmarrë Ministria, planifikohet që në bashkëpunim me ekspertët të shqyrtohet mundësia për një provimi shtetëror, të cilit do t’i nënshtrohen të gjithë studentët që studiojnë në institucione publike dhe private.

Pas deklaratave të Ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për idenë e një provimi shtetëror pas përfundimit të studimeve, ekspertët thonë se kjo nuk është e paraparë me Ligj. Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se edhe po të ndryshojë Ligji, do të jetë shumë e vështirë të zbatohet një gjë e tillë, pasi në Kosovë janë rreth 350 programe të ndryshme studimore.

“Nuk e di se si do të mundej Ministria të organizojë 350 teste ë ndryshme për studentë çdo vit. Kosova nuk ka kapacitete të tilla, sepse ekspertiza e mangët akademike që e kemi, e tëra është nëpër këto institucione të arsimit të lartë. Ne nuk kemi ndonjë ekspertizë tjetër akademike në vend e cila do të ishte në nivel të shtetit që do të mund të testonte kolegjet. Prandaj, mendoj se duhet të punohet në kuadër të legjislacionit ekzistues që me procesin e akreditimit, një institucioni i jepet e drejta për të lëshuar diploma, e jo të bëhen gjëra të tilla që nuk janë të realizueshme.”

Anëtarja e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiu, tha për Radio Kosovën, se për këtë çështje ende nuk ka diçka konkrete, duke shprehur dilemën e saj se kush do t’i vlerësojë studentët. Ajo theksoi se Ligji për Arsimin e Lartë nuk është respektuar asnjëherë.

“Për mua dilemë ka qenë kjo dhe është në vazhdimësi, ngase Ligji për arsimin e lartë dhe vendimet që janë marrë nga ish-ministri i arsimit Bajrami, ka vënë në konfuzitet shumë kandidatë që kanë përfunduar studimet në kolegjet private dhe universitetet publike. Për shkak se janë barazuar dhe në fakt Ligji nuk i barazon. Mosrespektimi i ligjeve nga institucionet është shqetësim shumë i madh.”

Edhe pse në Ministrinë e Arsimit nuk pranuan që të flasin për këtë ide të Ministrit, kohë më parë Ministri ka thënë se “pas përfundimit të provimeve të një programi të caktuar, për të marrë një diplomë, studentët duhet t’i nënshtrohen provimit shtetëror.” Ai ka theksuar se kjo do të diskutohet me ekspertët përkatës. Gjithashtu, ka shprehur nevojën e ndryshimit të Ligjit që kërkon provimin shtetëror për profesionet e rregulluara, duke futur këtu të gjitha profesionet. Ky ligj nuk ka filluar të zbatohet ende edhe pse është miratuar. Anëtarja e Komisionit për Arsim, Teuta Haxhiu, tha se ky ligj nuk ka gjetur zbatim për shkak të implikimeve buxhetore./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme