Kjo është treguar në rezultatet e Organizatës Ndërkombëtare për Vlerësimin e Nxënësve – PISA, ka thënë për klankosova.tv, Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës.
“Faktin se gjendja e arsimit nuk është e mirë e kemi ditur, por ajo që po na tregon PISA tani dhe që është brengosëse është rezultati i dobët në lexim, pasi këtu bëhet fjalë për aftësinë për ta gjetur një informatë, për ta kuptuar dhe shfrytëzuar atë, si dhe për ta komunikuar informatën” ka thënë Pupovci.
Sipas tij, kjo është shkathtësi e domosdoshme për shekullin XXI dhe reflektohet, jo vetëm në performancën e nxënësit në lëndët tjera, por edhe në jetën e përditshme.
Ai shton se problemet që ka shpërfaqur “PISA” duhet të merren seriozisht dhe të mos kalojnë në heshtje.
“Si duket, deri tani nuk kemi qenë sa duhet kritikë: as prindërit, as shoqëria civile, as mediat. Tani e tutje, duhet të jemi më syçelë dhe të reagojmë kur diçka nuk shkon. Edhe protesta është mjet demokratik që duhet të përdoret kur është nevoja”.
“Ne jemi popull që duron shumë dhe e toleron papërgjegjësinë, por ky është shkasi që të ndryshojmë qëndrimin, si shoqëri, pasi bëhet fjalë për fëmijët, për të ardhmen e këtij vendi. Ky lloj vetëdijesimi është mision i medias dhe i shoqërisë civile”, ka thënë Pupovci për klankosova.tv.
Njohësi i çështjeve të arsimit ka pohuar se radhitja në këtë test nuk është problemi më i madh pasi sipas tij Kosova nuk mund të qëndrojë në arsim më mirë se vendet e tjera të Ballkanit.
“Problemi është tek përqindja e madhe e fëmijëve që nuk e kanë arritur nivelin minimal të aftësive për t’i shfrytëzuar njohuritë e veta në jetën e përditshme – 77% në lexim, 78% në matematikë dhe 68% në shkenca të natyrës”.
Ai tregon se në lexim dhe matematikë ky është rezultati më i dobët i shënuar nga shtetet e Ballkanit që nga viti 2000 kur edhe ka filluar të zbatohet PISA.
E për krejt këtë mossukses ai thotë se përgjegjësinë e bartë Qeveria përkatësisht Ministria e Arsimit.
“Kjo ministri ka dështuar ta zbatojë një sistem të mirëfilltë të licencimit të mësimdhënësve i cili do ta stimulonte mësimdhënien e mirë. Në fushën e infrastrukturës shkollore është punuar më shumë, ndërsa në pajisjen e shkollave me mjete mësimore fare pak”.
“Pastaj, e kemi nivelin lokal, pra komunat. Ato janë pronare të shkollave dhe punëdhënëse të punëtorëve të arsimit. Në shumë raste, punësimet në arsim janë politike, sidomos emërimet e drejtorëve të shkollave dhe kjo ndikon në cilësi”, ka pohuar Pupovci.
Pupovci thekson më tutje se faji është edhet te arsimi i lartë që sipas tij, në dy dekadat e fundit, ka lënë shumë boshllëqe në përgatitjen e mësimdhënësve, të cilat trajnimet nuk kanë arritur t’i plotësojnë.
Problemi i cilësisë në arsim është identifikuar si problem nga vitit 2004. Por Pupovci ka thënë se është vazhduar me injorimin e problemit dhe me veprime të karakterit elektoral siç ka qenë rritja e pagave në kohë të fushatës dhe ndërtimi i shkollave në vendet ku nuk ka pasur nevojë.
“Tani, e kemi një Strategji të re të arsimit për periudhën 2017-2021, e cila është aprovuar, me koincidencë, një ditë pas shpalljes së rezultateve të PISA. Vënia e saj në jetë duhet të jetë prioritet imediat, sepse adreson, në masë të madhe çështjet që kanë të bëjnë me sigurimin e cilësisë”.
“Ajo kërkon një buxhet, të cilin Qeveria duhet ta sigurojë, qoftë edhe duke hequr dorë nga projekte që, realisht, sjellin më shumë vota sesa përmirësimi i cilësisë në arsim,”
Ai ka vlerësuar se kopjimi dhe mashtrimi janë dukuri nëpër institucionet arsimore për të cilat duhet marrë masa që të ndalohen.
“Kështu të bëhet me dije, që askush të mos shpresojë se shkolla mund të kryhet pa mund”.
“Rinia është resursi i vetëm që mund t’i sigurojë zhvillim të qëndrueshëm vendit, prandaj edhe duhet bërë qaren”.
“Kemi popullsinë më të re në Evropë. Pikërisht kjo rini është resursi ynë, prandaj edhe duhet të jetë mirë e arsimuar që të jetë konkurrente në tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit”.
“Kjo kërkon që arsimi cilësor i gjeneratave të reja të jetë prioritet dhe të mos shihet nga subjektet politike si mundësi për të fituar vota, por si obligim. Hapat që duhet të ndërmerren për të siguruar arsimim cilësor nuk sjellin gjithnjë vota, por duhet të bëhen”, përfundon Pupovci për klankosova.tv.
Edhe sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi rezultatet shumë të dobëta në “PISA” tregojnë që gjendja në arsimin e Kosovës është shumë e keqe.
“Ky rezultat shumë i dobët i Kosovës në PISA dëshmon që arsimi në Kosovë nuk i përgatitë nxënësit si duhet për të përdorur në jetën e përditshme e në shkollimin e mëtutjeshëm njohuritë e shkathtësitë e marra gjatë shkollimit”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij bazuar në këto rezultate mund të themi se nxënësit tanë mësojnë në mënyrë mekanike dhe nuk aftësohen për të menduar në mënyrë kritike e për të qenë në gjendje të zbatojnë njohuritë që marrin gjatë shkollimit.
“Gjithashtu, ky rezultat tregon se nxënësit tanë nuk janë as për së afërmi të krahasueshëm me bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë, kështu që nuk mund të jenë konkurrues në tregun global”.
Thaçi ka shtuar se faji nis nga niveli qendror dhe përfshin të gjitha qeveritë që nga paslufta, njofton Klan Kosova.
“Më pas fajtorë janë institucionet e personat që paguhen nga buxheti i shtetit për të siguruar arsim cilësor, duke vazhduar me nivelin lokal që janë Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit”
E për të dalë nga kjo gjendje, ai potencon se se arsimi duhet të caktohet si prioritet i vendit, realisht e jo veç me fjalë.
“Duhet investuar në infrastrukturë shkollore e në personel; duhet krijuar mekanizma qendrorë e lokal shpërblimi e ndëshkimi të bazuar në mekanizma realë vlerësues”.
“Duhet të organizojmë vlerësim të mësimdhënësve dhe pastaj të bëjmë kategorizimin e pagave të mësimdhënësve në varësi të punës dhe rezultateve të tyre; duhet t’i rikonceptojmë tërësisht tekstet shkollore (përkatësisht materialet mësimore) në përputhje me teknologjinë dhe zhvillimet modern”, pohon ai.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi poashtu thotë se duhet ndërtuar legjislacion të detajuar për të pamundësuar ndërhyrjen e faktorit njeri në proceset që lidhen me çështjet në arsim dhe që parasheh ndëshkime të ashpra për të gjithë cenuesit e cilësisë në arsim
Rohde provon shtegun e ri të biçikletave në Pejë: Ua rekoman...
Arne Slot zgjedh “ushtarët” e tij në “betejën” ndaj Real Mad...
Befason trajneri i Lille, lë Zhegrovën në bankë rezervë ndaj...
Dumfires vazhdon me Interin edhe katër vite tjera
Mes shumë mungesash, Ancelotti ka zgjedhur 11-shen për ndesh...
Ambasada e Shqipërisë uron 28 Nëntorin