Google ADS

Drejtor shkolle, i akuzuar për kërcënim të prindërve të një nxënësi

08:05 | 23 Maj 2015
Arbresh.info

Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prizren, Rrahim Bekteshi, që nga 21 shkurti i vitit të kaluar akuzohet se ka kanosur prindërit e një nxënësi në shkollën e tij, shkruan sot KD.

Telashet mes tij dhe prindërve të fëmijës, që është kategorizuar nga Qendra për Punë Sociale në Prizren si fëmijë me sjellje asociale, sipas aktakuzës, kanë nisur për shkak të një karrigeje që pretendohet ta ketë thyer tani 15-vjeçari N.Q.

“Me datën 31.10.2013, rreth orës 8:20, në rrugën ‘De Rada’ në Prizren, saktësisht në shkollën fillore ‘Emin Duraku’ në Prizren, seriozisht i kanos të dëmtuarit V. e T. Qylangjiu se do t’i privojë nga jeta në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje dhe bisedimesh paraprake lidhur me dëmtimin-thyerjen e një karrigeje të shkollës (ku dyshohet se e kishte bërë djali i të dëmtuarve) duke kanosur me fjalët ‘me ty s’kam punë’, duke bërë me gishtin tregues dhe ‘largohuni se ju shkrij’, me ç’rast tek të dëmtuarit shkakton frikë, ankth dhe pasiguri”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilën e ka siguruar gazeta.

Gazeta po ashtu ka mësuar se Prokuroria ka kërkuar që Bekteshi të shpallet fajtor, por një përgjigje e Prokurorisë së Shtetit ka lënë për të kuptuar se tash e një vit, Gjykata nuk ka marrë asnjë vendim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme