Disa studentë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, kanë ndërmarrë një aksion në shenjë revolte kundër publikimit të teksteve mësimore me qasje, siç thonë ata, “tmerrësisht seksiste”.
Në këtë aksion, ata kanë shkruar grafite në disa prej mureve të Fakultetit Filozofik, “Fakultet Seksist”.
Ribotimi i librave universitarë që qëllim ka profitin individual të profesorëve, po ndihmon në regresin e Universitetit, thonë më tej ata që veten e quajnë “Studentët e vetë-organizuar të Fakultetit Filozofik”.
“Në librin e Latif Veselit “Kriminalistika” viktimat e dhunës seksuale fajësohen, e viktimat gjeneralizohen në femra që në libër përshkruhen si mendjelehta, të pakujdesshme e të përdalura. Pas një peticioni, ky libër është dashur të largohet prej tregut e syllabuseve, mirëpo është ribotuar prapë me po të njëjtën përmbajtje e madje edhe pa dijeninë a aprovimin e Këshillit Botues. Përgjegjësia për botimin i bie Këshillit; sado që libri nuk është botuar zyrtarisht nën mbikëqyrjen e Universitetit, logoja gjendet në kopertinë”, thuhet në reagimin e këtij grupi.
Ata thonë se seksizmi në UP po “mirëmbahet” nga ombrella e “akademikëve” tanë që nuk i janë shkëputë shovinizmit, ndërsa thonë se neoliberalizmi që po mban në këmbë institucionin, po shërben “si një fole që po ngrohë egot e shuara të intelektualëve”.
““Blema librin ndaq me kalu’. ‘Like’ statusin në Facebook ndaq me t’a rritë notën!” – këto janë disa prej kërkesave të një profesori. Me këtë aksion duhet të vijë në shprehje izolimi dhe tkurrja e ekzistencës së gruas. Subordinimi i saj në suaza institucionale, limitimi i progresit të saj dhe menaxhimi i objektifikimit të saj po del si rrjedhojë që gruaja të jetë një pariah e shoqërisë kosovare. Insistimi që gjinia nuk është aq e rëndësishme për një popull ku gruaja maltretohet, etiketohet, shkëputet nga mundësia për të qenë në udhëheqje, janë vazhdimësi e tmerrit radikal patriarkal që po ndihmohet nga këta njerëz në krye të sistemit edukativ”, thonë më tej “Studentët e vetë-organizuar të Fakultetit Filozofik”.
“Dija që po na servohet është shndërruar në një rrjetë për të mbledhur studentët e për t’i transformuar në robotë që do e ripërtërijnë patriarkalizmin në UP. Këmbëngulësia e profesorëve për të mos heqë dorë nga ligjërimi idiotesk, funksionon si derivat fashizmi patriarkal për të izoluar mendimin kritik”, theksohet më tej në reagimin e tyre.
Ky grup i studentëve thotë se nëse nuk do merren masa në zhvillimin e hapave nga Këshilli Botues për rishikimin e teksteve, rishikimin e kualifikimeve të profesorëve që ligjërojnë tema specifike e shpërndajnë propagandë, ne si studentë do vazhdojmë t’i bëjmë rezistencë këtij sistemi të ligë.
Ata paralajmërojnë se nëse ky aksion nuk do tërheqë vëmendjen e hierarkisë dhe nuk do shërbejë si “vërejte” që të ndërmerren hapa të menjëhershëm, aksionet do të vazhdojnë.“Ritheksojmë se ky aksion është kryer nga studentë të Fakultetit Filozofik, dhe ftojmë të gjithë studentët tjerë në rezistencë. Nuk jemi optimistë për organizatat studentore që funksionojnë përbrenda fakultetit meqë indoktrinimi i tyre partiak është toksik për zhvillimin e mirëfilltë të arsimit. Mos prisni prej të tjerëve. Merrni situatën në duar. Veproni!”, thuhet në fund të këtij reagimi.
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...