Dhuna në mes të bashkëmoshatareve në shkollat e Kosovës vazhdon të jetë në rritje dhe shqetësuese. Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve po vlerësojnë se institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë me shumë në këtë drejtim.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit, ditë me parë ka bërë të ditur se bashkë me të gjithë përfaqësuesit e fëmijëve dhe institucionet përgjegjëse kanë iniciuar themelimin e Forumit Nacional për përcjelljen e situatës së sigurisë në shkolla.
Gjatë këtij viti shkollor në Kosovë janë shënuar qindra raste të dhunës në mes të nxënësve në shkolla.
Bukureza Surdulli nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, në një përgjigje për Radio Kosovën, tha se në vendin tonë siguria në shkolla viteve të fundit ka shënuar rënie dhe për këtë arsye ka rritje të rasteve të dhunës..
“ Sipas të dhënave dhe diskutimeve qe kemi pasur me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse është raportuar se viteve të fundit është rritur dhuna në shkolla ku shpesh herë po përfundojnë edhe me fatalitet. Kjo tregon se është ulur niveli i sigurisë në shkolla. Në lidhje me këtë ne si KOMF se bashku me komisionin për Arsim jemi duke shqyrtuar mundësinë të marrim masa bashkërisht në mënyre që të iniciojmë diçka në Kuvendin e Kosovës për të parandaluar dhunën në shkolla”, tha ajo.
Ndërkaq, Rinor Qehaja nga Instituti Edguard, tha për Radio Kosovën, se rastet e dhunës në shkolla duhet të trajtohen nga personat dhe institucionet përgjegjëse për arsye se shumë lehtë mund të përshkallëzohet deri në fatalitet.
“Dhuna në shkolla ka trajta të ndryshme, dhe reagimi duhet të jetë shumë individual për secilin rast. Për këtë nevojitet një komunitet i përkushtuar i shkollës, që ka përkrahje institucionale. Ka disa faktorë që e bëjnë një shkollë më të sigurt, dhe ka plotë shkolla në vend që kanë dëshmuar se kjo është e arritshme. Mirëpo, duhet të kuptojnë që problemi nuk është i kufizuar dhe as nuk zgjidhet nga një hisedar i vetëm, por duhet një përfshirje konsistente dhe e strukturuar ndërinstitucionale në të gjitha nivelet”, tha ai.
E, për ta përmirësuar këtë gjendje, Ministria e Arsimit, ka iniciuar themelimin e Forumit Nacional për përcjelljen e situatës së sigurisë në shkolla. Këshilltarja për media në këtë Ministri, Iliriana Pylla, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se ky forum ka për qëllim që të ketë bashkëpunim ndërinstitucional për rritjen e sigurisë në shkolla.
“Ky Forum do të formalizohet në qershor, dhe ka për qëllim bashkërendimin ndërinstitucional e shumëpalësh për zbatim të politikave të sigurisë, parandalimit të dhunës, mbrojtjes së fëmijës, ngritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të tyre”, tha ajo.
Gjithashtu, edhe Këshilli i Prindërve në vazhdimësi ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi nga akteret e përfshirë në sistemin arsimor në mënyrë që të rritet siguria në shkolla dhe rreth shkollave, derisa kanë kërkuar që të shtohet edhe numri i psikologëve dhe pedagogeve në shkolla.
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...