Kosova edhe këtë vit ka dështuar në testin PISA, duke mos shënuar ngritje nga hera e kaluar.
E ky dështim i Kosovës, nga ekspertët e fushës së arsimit thuhet se ka qenë i pritshëm.
Arsimit në Kosovë nuk i është kushtuar rëndësi nga asnjë qeveri e deritanishme, gjë që ka sjellë deri tek dështimi në PISA. Kështu është shprehur profesori universitar, Milazim Krasniqi, i cili thotë se ka një numër të konsiderueshëm të shkaqeve se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
“Shkaqet janë të shumta, por ndër të parët padyshim është fakti që qeveritë nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur arsimit. Po t’i shikoni librat shkollor me të cilët mësojnë nxënësit, janë shumë të dobët. Po ashtu edhe digjitalizimi nuk është bërë në pjesën më të madhe të shkollave. Duhet të nxirret një konkluzion që Fakulteti i Edukimit është shumë më i dobët se që mendojmë ne”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Milazim Krasniqi.
Sipas Krasniqit, rezultati ka ardhur pikërisht në momentin e duhur kur edhe është duke u formuar qeveria e re, e që kjo e fundit duhet ta ketë prioritet arsimin.
Nga ana tjetër, Rron Gjinovci nga organizata “ORCA” si më shqetësues e sheh faktin se nuk është marrë asnjë hap për ndryshime as për dhjetë vitet e ardhshme.
“Shqetësimi kryesor është që nuk është ndërmarrë bash asgjë për të bërë ndonjë ndryshim në 10 vitet e ardhshme. Duhet të bëhet një reformë e thellë, e menduar mirë, nga ekspertë të huaj pasi po konsideroj se këtu ka pak ekspertizë për të dhënë një ide të qartë për të përmirësuar situatën. Gjëja e parë e që është e ditur tashmë është të bëhet vlerësimi i mësimdhënësve. Gabimi kryesor në sistemin tonë mendoj se janë mësimdhënësit e dobët”, deklaroi më tej Rron Gjinovci.
Dy rezultatet e fundit në Pisa, tregojnë për një nivel të ulët arsimimi në lexim, matematikë e sidomos në shkencë.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama ndan fotot: U mbështet p...
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...