Është rikthyer në Komisionin Parlamentar për Arsim, Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë me arsyetimin se të njëjtit i nevojiten ndryshime dhe plotësime.Përfaqësues të Komisionit dhe deputetë të opozitës e njohës të çështjeve të arsimit thonë se një ndër problemet kryesore që duhet të zgjidhen sa i përket këtij Ligji ka të bëjë me çështjen Universitetit Verior të Mitrovicës.
Sipas tyre, pikërisht në këtë pikë ka probleme me Listën Serbe e cila po e bllokon miratimin e këtij Projektligji për shkak se siç kanë thënë, ajo po kërkon që ky universitetit të vendoset nën kontrollin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan arbresh.info.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Nait Hasani ka thënë për Arbresh.info se po kërkohet që Universiteti i Mitrovicës Veriore të bëhet publik duke bërë kështu që për herë të parë në Kosovën multietnike të ekzistoj një universitet etnik serb.
“Në këtë projektligj kanë vendosur që edhe Universiteti i Mitrovicës Veriore të bëhet Universitet publik i Kosovës. Po forma dhe mënyra që kanë zgjedhur për këtë universitet ka qenë dhe është e keqe. Për herë të parë bëhet publik në Kosovën multietnike një universitet etnik serb. Kjo ka ndodhur vetëm në Afrikën e Jugut në kohën e Pinoqetit. Ne mund të kemi universitete me shumë gjuhë ama universitete etnike dhe me një qytet dy universitete publike të paguara nga buxheti i Kosovës, kjo është e papranueshme”, ka thënë Hasani.
Sipas tij ky mund të jetë një precedent i rrezikshëm pasi siç ka thënë mund të bëjë që edhe pakicat e tjera të kërkojnë universitete të etnive të tyre.
“Kjo do të thotë se dhe pakicat tjera apo kush do mundet të hap universitete publike kurdo e ku të do.Është duke ju bërë Kosovës krim universitar, që do na kushtoj në kohë”, është shprehur Hasani.
Ai ka shtuar se dy probleme tëtjera sa i përket këtij universiteti janë kërkesa që ai të formohet në bazë të ligjit të komunave duke anashkaluar Ligjin për Arsimin e lartë dhe se universitetit i jepet mundësia që ta miratoj vetë statutin e saj derisa universiteteve të tjera publike statutin ia miraton vetëm Kuvendi i Kosovës.
Dukagjin Popovci, njohës i çështjeve të arsimit të lartë ka thënë për Arbresh.info se problematika kryesore këtu qëndron në qëllimin e Listës Serbe që Universiteti i Mitrovicës Veriore të vendoset nën kontrollin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Po shihet se përfaqësuesit e komunitetit serb duan që arsimi në gjuhën serbe, përfshirë edhe Universitetin e Mitrovicës Veriore, të vendoset nën kontrollin e Asociacionit të Komunave Serbe, prandaj edhe e bllokojnë aprovimin e ligjit”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës i jep të drejtë komunës së Mitrovicës Veriore ta menaxhojë Universitetin e Mitrovicës Veriore dhe se ky ligj është aprovuar në vitin 2008 si pjesë e të ashtuquajturës Pako legjislative e Ahtisaarit.
Për këtë arsye, Popovci ka thënë se duhet të bëhen rregullime në Kushtetutën e vendit dhe aty të kërkohet zgjidhja.
“Subjektet politike, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, duhet të kërkojnë rrugë për tejkalimin e situatave të tilla, ku pakica mund ta bllokojë çdo nismë të shumicës”, ka thënë Popovci.
Në anën tjetër, deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi ka thënë se neni 50 i Ligjit për Arsimin e Lartë që i kushtohet Universitetit të Mitrovicës Veriore nuk parasheh barazi të këtij universiteti me universitetet e tjera në Republikën e Kosovës.
Sipas tij, me këtë nen legjitimohet mosnjohja e Republikës së Kosovës nga ky institucion i themeluar dhe financuar nga shteti i Kosovës.
“Pozita në të vërtet i është nënshtruar kërkesës politike të Listës Serbe, për mos ndryshimin e projektligjit edhe pse serbët në Kosovë në të gjitha nivelet e arsimit punojnë me plan-programe e Serbisë. Këto pengesa të paarsyeshme nga komuniteti serb, i ndikuar drejtpërdrejt nga Serbia janë të papranueshme. Kosova nuk mundet pafundësisht të mbetet peng i formulimeve të gabuara të Pakos së Ahtisarit në Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Kurteshi./Arbresh.info/R.Rexhepi/
Shkencëtarët në Peru zbulojnë një fosil krokodili 12 milionë...
Arrestohet një person në Prishtinë, kërkohej për vrasje në t...
Kështu e festojnë 28 nëntorin mërgimtaret në Gjermani
Sekretari Blinken uron Shqipërinë
Anulohet samiti i liderëve të rajonit dhe BE-së në Bosnje, d...
FSK bënë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz