Google ADS

Demolohen klasat e shkollës “Jetullah Gashi”

17:41 | 3 Maj 2016
Arbresh.info

Shkolla fillore “Jetullah Gashi” në fshatin Dobërdol të Podujevës është demoluar mbrëmë nga persona tani për tani të panjohur.

Për të parë nga afër këtë akt sot në Dobërdol ka shkuar edhe kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu.

Për dëmet që ia shkaktuan keqbërësit kësaj shkolle, kryetarin Veliu e ka informuar drejtori i shkollës, Tafil Thaçi, i cili tha se demolimi në shkollë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar (natën mes të hënës dhe të martës) ndërsa stafit teknik i shkollës të martën në mëngjes, pasi ka vërejtur demolimin, i ka informuar institucionet relevante, Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit.

Kryetari Veliu e ka dënuar ashpër këtë akt vandal, të cilin e quajti sulm qyqar që drejtohet kundër një institucioni të dijes.

“Kam ardhur që nga afër ta shoh dëmin e shkaktuar në shkollë. Është i papranueshëm secili akt i dëmtimit të pronës publike, mirëpo të demolohet institucioni i dijes, ky është akt qyqar dhe huliganesk”, citon kryetarin Veliu, zyra për media e komunës së Podujevës.

Kryetari Veliu u bëri apel institucioneve të sigurisë që t’i marrin të gjitha masat e nevojshme në identifikimin e autorëve të këtij akti dhe të marrin dënimin e merituar.

Për shkak të dëmeve të shkaktuara dhe demolimit të inventarit, në këtë shkollë është ndërprerë mësimi. Drejtoria e shkollës po bën përpjekje që mësimi të fillojë sa më shpejt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme