Google ADS

Dema: Për Institute e kemi bërë hapin e parë

10:44 | 23 Korrik 2016
Arbresh.info

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, në planin e tij për menaxhim të UP-së, kishte premtuar se do t’i rinfuksionalizojë institutet në kuadër të fakulteteve të UP-së, me të cilat kishte parashikuar që ato të jenë edhe burim i të ardhurave për universitetin.

Tre muaj pas ardhjes në krye të UP-së, rektori Dema i ka bërë hapat e parë në këtë drejtim.

Në një intervistë për Kosovapress, Dema ka thënë se është në përfundim Institutit për Fakultetin e Edukimit dhe disa punë për Institutin e Mjekësisë, në mënyrë që të fillohet puna.
“Jam shumë i interesuar që aspektin shkencor të hulumtimeve ta avancoj dhe natyrisht UP ka institute në të gjitha fakultetet. Në proces të përfundimit të instituteve është Fakulteti i Edukimit i cili është kah fundi, vetëm do të hapet një nënxhirollogari, Fakulteti i Mjekësisë, fakultetet tjera realisht kanë. Çka kemi bërë, çka kam propozuar është që për herë të parë UP do ta ketë një vijë buxhetore për shkencën që nëse e aprovon Këshilli Drejtues, sepse ata janë kompetentë për këtë, kemi paraparë 600 mijë euro për shkencë, jemi në diskutime me MASHT-in që fondin për shkencë, ministri ka premtuar që ta shpërndaj nëpër universitetet publike në mënyrë proporcionale dhe besoj që aty do ta kem një pjesë, kështu që jam shumë i interesuar, meqenëse po kërkojmë cilësi, po kërkojmë hulumtime shkencore, publikime që në të njëjtën kohë të iu ofrojmë, t’i ofrojmë profesorit të marrë pjesë nëpër konferenca, simpoziume, që të publikoj, që të jemi sa më mobil”, është shprehur Dema.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, ka thënë se institucioni që e drejton, tashmë është në proces të formimit të zyrës për hulumtime shkencore, e cila do të ketë rolin e hartuesit të projekteve shkencore.

“Jemi në proces të konstituimit të zyrës së hulumtimeve shkencore e cila do të merret kryesisht me hartimin e projekteve që të publikojmë, deri tash i kemi fituar disa projekte, programe të ndryshme nga BE që është një ndër sukseset e mëdha të UP-së prandaj ajo që e kam premtuar deri tash edhe e kam mbajtur edhe do ta mbaj sepse jam shumë i përkushtuar që edhe në jetë kam qenë njeri i fjalës dhe të mbetem njeri i fjalës por gjithmonë në bashkëpunim me trupat e UP-së, unë nuk jam i interesuar që unë të marrë vendime, jam shumë i interesuar që në bashkëpunim me të gjitha organet të sjellim vendime që Universitetit i Prishtinës të fitoj, që UP ta ketë atë vend që e ka pas në shoqëri dhe që UP të jetë ndryshimi për Kosovën”, është shprehur ai.

Mirëpo, buxheti që ndahet për shkencë në institucionin që ai e drejton, rektori Dema e pranon se nuk është i mjaftueshëm.

“Ajo është më mirë se asgjë, 600 mijë euro në një universitet i cili i ka 1 mijë e 100 profesorë të angazhuar, diku 1 mijë e 700 është shumë e vogël, mirëpo, unë gjithmonë e them na duhet ta bëjmë hapin e parë, ky është hapi i parë. Unë mendoj se edhe me këtë zyrën për projekte do të sjellim mjete, pastaj me buxhet kemi planifikuar që të shkojmë me disa laboratorë pak më të mëdha nëpër fakultete, mos të shpërndajmë sikur deri tash çdo kund nga pak dhe askund nuk kemi përfituar por në qoftë se duhet një fakultet të ketë investime më të mëdha, ta bëjmë një laborator se pa laboratorë nuk ka shkencë, mirëpo, njëkohësisht të jemi edhe në kërkimin e ideve që edhe këto fakultetet social, humane të fillojmë me institutet e tyre, unë jam i interesuar që UP, natyrisht ky është proces, të jetë njëkohësisht edhe burim i gjenerimit të fondeve, jo të jemi vetëm të varur nga buxheti i Kosovës por natyrisht nuk pretendoj se kjo mund të kryhet për një kohë të shkurtër por që ta arrijmë hapim final duhet të bëjmë hapin e parë, kjo që jemi duke e bërë, ky menaxhment është hapi i parë”, ka deklaruar rektori.

Universiteti i Prishtinës posedon disa institute shkencore në kuadër të njësive akademike të cilat kanë mbet jashtë funksionit në mungesë të investimeve dhe fondeve për to.

Rektori Dema ka premtuar se do t’i funksionalizojë këto institute në mënyrë që ato të kryejnë hulumtime shkencore, duke bërë që edhe të grumbullojnë të ardhura për universitetin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme