Google ADS

Biblioteka Kombëtare dhe disa salla në UP pa ngrohje

15:16 | 23 Janar 2017
M. A.

Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë mendime të ndryshme sa i përketë kushteve në hapësirat universitare, pas temperaturave të ulëta që po mbretërojnë në vendin tonë.

Disa thonë se ngrohjet janë mesatare në fakultetet e tyre, e disa ankohen se në Bibliotekën Kombëtare dhe sallat e Fakultetit Filologjik, nuk ka kushte për të mësuar, madje shtojnë se kishin probleme edhe me koncentrim gjatë provimit.

Lindita Berisha, studente në Fakultetin Filologjik, ka thënë për KosovaPress se nganjëherë kanë problem të koncentirmit për shkak të të ftohtit dhe mungesës së ngrohjes në salla.

“Në fakt duke u nisur nga biblioteka nuk ka ngrohje. Pyetja që iu kemi parashtrua se pse nuk ka ngrohje, atëherë, kanë ardhur në një përfundim se nuk ka ngrohje për shkak se është bërë një prishje dhe pritet rregullimi, mirëpo, atë rregullim ne e kemi pritur aq gjatë saqë prapë nuk ka ngrohje dhe në një aspekt tjetër ngrohjet mungojnë edhe nëpër salla, ku ne studentët nuk mundemi as të koncentrohemi në mësim…Tjetra është se tani kishim provim po ne e kishim të pamundur të koncentrohemi në test për shkak se sallat ishin po aq të ftohta sa që studentët dridheshin dhe kishin koncentrim vetëm se si te ngrohen dhe jo se si ta punojnë punimin’’ ka thënë ajo.

Por ndryshe thotë studenti i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Hysen Bushi. Ai ka thënë se kushtet për studime janë të mira dhe kanë ngrohje të mirë edhe pse ka mbretëruar një mot i ftohët.

“Ngrohjet në fakultete janë edhe në biblioteka po ashtu, edhe në konvikt kanë qenë kushtet shumë të mira. Edhe pse ka mbretu një mot i ftoftë, brenda ka qenë shumë mirë. Kushtet për studim janë të mira mjafton që ne me mësu’’ ka thënë ai.

Petriti Kiçina i cili është student i historisë, ka thënë se në krahasim me vitet e kaluara, këtë vit është më mirë. Megjithatë, ai ka shtuar se fakulteti ose biblioteka nuk i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme.

“Realisht ka ngrohje tash dimrit por më herët ka pasur pengesa, nuk kanë funksionu siç duhet. Ndërsa tani kohëve të fundit në krahasim me vitet paraprake sivjet është diçka ma mirë…Ndërsa në konvikt kur kemi banuar në vitin e parë kanë qenë kushtet jo të mira. Kushtet e studimeve realisht duke u nisur prej fakultetit ose bibliotekat ku ne mësojmë nuk i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme, nuk ka inventarë të librave, aq sa kërkohet, nuk ka vende ku të gjithë të mësojnë sepse nuk e kanë bërë një inventarë të duhur’’ ka thënë ai.

Edhe studentë të tjerë i kanë thënë KosovaPress-it se sikurse ngrohja, ashtu edhe kushtet e studimit janë në nivel mesatar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme