Google ADS

Biblioteka e kryeqytetit po zhvendoset në lagjen Dardania

12:23 | 23 Qershor 2016
Arbresh.info

Një projekt i përmendur që nga viti 2007, kur Prishtina qeverisej nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i filluar të zbatohet në vitin 2011, para pesë vjetësh, duket se është afër finalizimit.

Fjala është për objektin e ri të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, që për shumë vite funksionoi në një objekt të vjetër afër ndërtesës të Komunës së Prishtinës.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ne Komunën e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se për shkak të bartjes së librave dhe materialit tjetër bibliotekar nga biblioteka “Hivzi Sylejmani” dhe vendosjes në objektin e ri në lagjen “Dardania”, që nga 3 maji 2016 Sektori i Fëmijëve dhe Sektori i të Rriturve nuk do të jenë në shërbimin deri në përfundim të bartjes me përjashtim të Sallës së leximit, e cila edhe më tutje do të jetë e hapur dhe do të punohet me orar të plotë.

Siç njofton komuna, gjatë periudhës së bartjes në raste të domosdoshme lexuesit mund të shërbehen në degën “Biblioteka Përkujtimore” në Taukbashqe dhe në degën në Pallatin e Rinisë.

Megjithëse kanë kaluar rreth shtatë javë që kur kjo zhvendosje ka nisur, sipas zëdhënëses për media në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ende nuk dihet data se kur do të përurohet kjo bibliotekë. E kontaktuar nga KosovaLive, Mullafazliu ka thënë shkurt, përmes telefonit, se ende nuk është vendosur data se kur do të përurohet kjo bibliotekë. Ajo gjithashtu tha se ende nuk dihet se çka do të ndodhë me objektin e vjetër ku funksiononte kjo bibliotekë deri tash.

Teuta Morina, studente e vitit të tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, thotë se ajo dhe shumë studentë të tjera e kanë pritur tash e sa kohë hapjen e kësaj biblioteke, por që zhvendosja e saj po bëhet në një kohë të pa përshtatshme për ta.

“Prej se kam ardhur në Prishtinës për studime, tash e tri vite, përmendet çështja e hapjes së bibliotekës së re në lagjen ‘Dardania’ dhe duke qenë se objekti i deritanishëm ishte mjaft i vjetër, të gjithë studentët  e prisnim një bibliotekë me kushte më moderne, por kjo bibliotekë e vjetër mbylli dyert për disa javë, për tu hapur në objektin e ri në periudhën më të vështirë për ne.

Po flasim për muajt maj-qershor, kur është edhe afati i provime edhe studentët kanë nevojë të kenë qasje në fondin e librave të bibliotekës dhe sallat mësimore”, tregon Morina për KosovaLive, duke shtuar se ndonëse Komuna e Prishtinës ka dhënë mundësinë që ndërkohë anëtarët e kësaj dege të shërbehen me libra në degët e tjera të “Hivzi Sylejmanit”, respektivisht në atë në Pallatin e Rinisë dhe në bibliotekën për fëmijë në lagjen Taukbashqe, ky proces nuk po zhvillohet lehtësisht.

Objekti i ri është i sistemuar në hapësirën prej 30 ari në lagjen “Dardania” dhe është i ngritur në tre kate.

Dy salla të mëdha të leximit, secila me kapacitet prej rreth 300 vendesh, një sallë për tryeza e konferenca shkencore, janë hapësira të tjera që janë përfituar nga kjo ndërtesë.

Biblioteka “Hivzi Sylejmani” ka filluar punën në objektin që ndodhët afër zyrave të Komunës së Prishtinës në vitin 1947, ndërsa është themeluar më 1945 me një fond prej 1300 librash në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe një fond fletushkash dhe broshurash të kohës së luftës.

Si shumë institucione të tjera të kulturës, edhe kjo bibliotekë u dëmtua nga masat e dhunshme serbe në vitet 1992-99, për tu ringjallur në gjysmën e dytë të vitit 1999, kur punëtorët shqiptarë u kthyen në vendet e tyre të punës dhe u bë ripërtërija e fondit bibliotekar./kosovalive360/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme