Përveç mungesës së transportit publik, banorët e lagjes Veternik të Prishtinës po përballen edhe me mungesë të një objekti shkollor. Prindërit po detyrohen të sigurojnë transportin në mënyra të ndryshme për të dërguar fëmijët nëpër shkolla të kryeqytetit. Drejtoria për Arsim në Komunën e Prishtinës, ka thënë se arsyeja e vonesës së ndërtimit të shkollës në atë lagje, ka qenë mungesa e lokacionit, ndërsa thonë se projekti është gati dhe shpresojnë se ndërtimi do të fillojë së shpejti.
Banorët e lagjes Veternik të Prishtinës ka vite që vazhdojnë të ankohen për mungesën e një shkolle. Ata thonë se kjo po iu paraqet probleme të mëdha në funksionimin e jetës se përditshme. Bislim Bajrami dhe Afërdita Zeqiri, banorë të kësaj lagjeje, thanë për Radio Kosovën se përveç lodhjes fizike kjo ka edhe një kosto të konsiderueshme financiare për dërgimin e fëmijëve nëpër shkollat e kryeqytetit.
“Shumë problem se jo pak, me thënë të vërtetën kjo është mungesa ma e madhe që e kemi. Transportin po duhet vetë ta paguajmë. Kjo është mungesë shumë e madhe. Po shpresojmë që e ndërtojnë, deri tash i kemi dërguar vetë e tash me kombi. Nëse sivjet nuk fillojnë ta ndërtojmë, ne vetëm duhet ta lëshojmë ketë vend. Fëmijët po duhet t’i çojmë me transport, duhet t’i paguajmë nga 25 euro për transport, ose me veturë. Qe burri sa e dërgoi vajzën, se këtu nuk ka shkollë, s’ka parashkollor, po, po duhet ta dërgojmë. Vetëm shkolle të kemi, mjafton!”
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, tha për Radio Kosovën se shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i shkollës së re në lagjen “Veternik”, por nuk dha ndonjë afat kohor, pasi siç tha, problemi ka qenë përcaktimi i lokacionit. Ai sqaroi se realizimi i këtij projekti do të financohet nga Banka Botërore, pasi është arritur marrëveshja për një kredi.
“Një problem me lokacion. Kemi për ta ndërruar pronën. Është arritur marrëveshja dhe lokacioni i saktë do të përcaktohet shumë shpejt. Mandej do të fillojnë procedurat, sepse këtë e ndërton Banka Botërore e nuk do të kemi zvarritje me tenderë”, tha Salihaj.
Salihaj nuk siguron se kjo shkollë do t’i plotësojë të gjitha nevojat, pasi siç tha ai, me kurrikulën e re parashikohet që procesi mësimor duhet të mbahet vetëm në një ndërrim.
“Kjo për arsye se po zbatohet kurrikula e re, dhe kurrikula e re nuk lejon që mësimdhënia të realizohet në dy ndërrime. Qëndrimi i fëmijëve është i shkurtë në shkollë, por besoj që disa normativa do të plotësohen, e në këtë mënyrë do të zbatohet edhe kurrikula e re”, tha Salihaj.
Salihaj bëri të ditur se shkolla do të jetë moderne e tipit evropian dhe do të mirëmbahet 20 vjet nga kompania e ndërtimit. Ai tha se kapaciteti i saj do të përcaktohet nga Drejtoria Komunale e Arsimit, duke marrë për bazë numrin të banorëve.
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...