Bajrami takon pronarët e shtëpive që i lëshuan për shkolla në vitet e 90-ta

13:30 | 20 Janar 2017
Arbresh.info

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka takuar përfaqësuesit e Këshillit iniciues për projektin e realizimit të mësimit shqip në shtëpitë-shkolla në vitet e ‘90-ta.

Ky takim u zhvillua në kuadër të shënimit të përvjetorit të kësaj ngjarjeje ku ishin prezentë disa pronarë të shtëpive-shkolla nga komuna e Prishtinës, si dhe drejtues të arsimit në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, ministri Bajrami ka shprehur falënderimet për sakrificën e pronarëve të shtëpive-shkolla dhe të gjithë atyre të cilët kanë qenë të përfshirë në procesin edukativo-arsimor të kësaj periudhe, duke bërë që sistemi arsimor në Kosovë të mbijetojë.

Ministri Bajrami tha se janë në një moment kujtese dhe krenarie për rolin që ka pasur mbijetesa e arsimit shqip për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“20 janari i vitit 1992 është një moment kthese, mbijetese dhe rezistence, të cilin duhet ta kujtojmë për t’u treguar gjeneratave të reja, për rrugën që ka kaluar sistemi arsimor. Nëse në kushte të mbijetesës është mbajtur gjallë arsimi shqip, sot kemi për detyrë që në kushte lirie, të ndërtojmë në arsim cilësor, sepse edukimi cilësor është hap për përparimin e Republikës së Kosovës”, është shprehur ministri Bajrami, ndërsa ka kujtuar edhe veprën e protagonistëve të mbijetesës së arsimit, të cilët më nuk jetojnë.

Ministri Bajrami ka bërë të ditur se, Projektligji për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta tashmë është finalizuar dhe me përkrahjen e plotë të Ministrisë së Arsimit, në këtë ligj periudha e organizmit të mësimit nëpër shtëpitë-shkolla do të zë vendin e merituar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme