Bajrami në Berlin: Kosova ka nevojë për kuadro në shkencat ekzakte dhe teknike

13:51 | 12 Qershor 2015
Arbresh.info

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Gjermani, është pritur në Bundestag nga deputetja e Bundestagut, njëherësh kryetare e Komisionit për Edukim dhe Shkencë, Patricia Lips, si dhe anëtarët e këtij Komisioni.

Në këtë takim, ministri Bajrami është njohur me rolin e këtij komisioni në Bundestag, ndërsa i ka informuar deputetët gjermanë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për punën që po bëhet aktualisht dhe reformat e ndërmarra me qëllim të ngritjes së cilësisë.

Ministri ka kërkuar edhe thellimin e bashkëpunimit të Komisionit për Edukim dhe Shkencë të Gjermanisë dhe Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit, Patricia Lips, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ka theksuar qëndrimin e anëtarëve të Komisionit se do të përkrahin nismat e mira që kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, e veçanërisht mes dy ministrive të Arsimit dhe komisioneve që ndërlidhen me arsim dhe shkencë.

Ministri Bajrami ka qëndruar në vizitë edhe në Universitetin Humboldt në Berlin, ku është takuar me Kamper-van den Boogaart, zëvendëspresident për çështje akademike dhe marrëdhënie ndërkombëtare të këtij universiteti publik, i cili është njëri nga tri universitetet më të mira në Gjermani, transmeton Telegrafi.

Ministri ka kërkuar bashkëpunimin e këtij Universiteti me universitetet publike kosovare në drejtim të nënshkrimit të marrëveshjeve që do të mundësonin shkëmbimin e stafit akademik, por edhe mundësi të studimeve për studentët kosovarë në të tri nivelet.

Ai tha se Kosova ka nevojë për përgatitjen e kuadrove sidomos në shkencat ekzakte dhe teknike, ndërsa kërkoi që Universiteti i Berlinit të ofrojë programe dhe bursa për studime të doktoratës për studentët nga Kosova.

Ministri Bajrami, po ashtu, ka takuar edhe një grup të studentëve kosovarë, të cilët studiojnë në universitetet gjermane në Berlin.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme