Bajrami: Do të punojmë për universitete autonome dhe cilësore

15:16 | 4 Maj 2015
Arbresh.info

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar Konferencën Rajonale për Arsimin e Lartë dhe Hulumtimin Shkencor, e cila po mbahet sot në Prishtinë dhe ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtarë përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet Republikës së Kosovës, rajonit dhe më gjerë në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Në këtë konferencë, e cila ka mbledhur rreth 300 pjesëmarrës, po marrin pjesë edhe ministrat e Arsimit, nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë, rektorë të universiteteve publike dhe private nga Kosovë, Shqipëria, Maqedonia, si dhe ekspertë të arsimit dhe hulumtues shkencorë nga Kosova e rajoni. Po ashtu, në Konferencë po marrin pjesë edhe përfaqësues diplomatik dhe partnerë zhvillimor në fushën e arsimit të lartë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tha se janë në kërkim të një sistemi të qëndrueshëm dhe stabil në fushën e arsimit të lartë dhe krijimin e universiteteve autonome dhe cilësore.

Ai theksoi se do të punojnë që hulumtimi dhe kërkimi shkencor të bëhen pjesë e pandashme e punës së institucioneve të arsimit të lartë meqenëse këto janë të lidhura ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla theksoi rëndësinë e ndërveprimit në fushën e arsimit të lartë si domosdoshmëri për ngritjen e cilësisë.

Si sfida që do të dalin nga punimet e Konferencës, ministrja Nikolla përmendi mënyrën e re të financimit të universiteteve më bazë në performancë, krijimin e fondeve të veçanta për studentët që kanë më shumë nevojë, autonomi të plotë të universiteteve dhe modernizimin e qeverisjes së brendshme të tyre.

Ndërkaq, ministri i Arsimit i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi tha se kërkimi shkencor është baza kryesore në të cilën mbështetet arsimi i lartë.

Ai tha se vizioni dhe objektivat janë rritja e volumit të kërkimeve shkencore.

Ministri Ademi theksoi se ideja e kësaj konference është bashkërendimi i përpjekjeve për të krijuar një treg të përbashkët në arsimin e lartë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme