Google ADS

Arsimi në Kosovë gjatë 2017-ës nuk ishte prioritet

12:29 | 31 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Arsimi në Kosovë nuk është marrë me seriozitetin e duhur gjatë vitit 2017.

Madje deklaratat se arsimi në Kosovë ka qenë prioritet janë vetëm deklarata politike të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me gjendjen faktike.

Kështu thonë të paktën njohësit e çështjeve të arsimit në Kosovë.

Analisti i çështjeve të arsimit Dukagjin Popovci për arbresh.info ka thënë se arsimi nuk është marrë me seriozitetin e duhur duke shtuar se intervenimet në këtë drejtim nuk duhet të jenë parciale.

“Arsimi është një farë prioriteti i deklaruar, por nuk merret me seriozitetin e duhur. Intervenimet në arsim nuk mund të jenë parciale, për shembull, nuk ka kuptim të fillosh me planprograme të reja nëse nuk i ke siguruar edhe tekstet mësimore përkatëse, siç është vepruar këtë vit në shkollat e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se rritja e pagave për qëllime elektorale nuk është e arsyeshme pasi që kjo është destimuluese.

“Pastaj, nuk është e arsyeshme që për qëllime elektorale, të bëhet rritja e pagave, pavarësisht performancës së punëtorëve të arsimit, sepse kjo është destimuluese. Veprimet e tilla, të paplanifikuara mirë dhe ngecjet në zbatimin e asaj që është planifikuar, zakonisht sjellin deri tek vazhdimi i gjendjes së tanishme e mund të rezultojnë edhe me përkeqësimin e saj”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Halim Hyseni si njohës i kësaj fushe për arbresh.info ka thënë se edukimi dhe arsimi në Kosovë nuk ka qenë prioritet asnjëherë madje nuk do të jetë as nga Qeveria e tanishme.

“Edukimi dhe  arsimi  në  Kosovë asnjëherë nuk ka qenë as nuk është edhe sot nga qeveria e tashme  prioritet nacional  apo  kosovar. Është një  doktrinë  e re shkencore e cila quhet: Teoria e Ndryshme në  Edukim. Kjo doktrinë ka dëshmuar se shtetet  dhe vendet që janë në kriza të thella  arsimore, për të dalë  nga kriza edukimit dhe e arsimit duhet të ndajnë nga Bruto Prodhimi Nacional 6 përqind të prodhimit të përgjithshëm për këtë fushë. Kosova gjatë vitit 2017 ka miratuar një platformë që  për arsim të ndajë 4.5  përqind të Bruto Prodhimit Nacional, andaj të gjitha deklaratat se  edukimi dhe arsimit  janë  prioritet, kanë qenë deklarata politike që nuk kanë pasur të bëjnë me realitetin faktik”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij prioritet për të gjitha Qeveritë ka qenë infrastruktura rrugore.

“Prioritet i të gjitha qeverive deri me tani ka qenë infrastruktura rrugore”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kosovës i duhet një vetëdije tjetër për menaxhiminarsimit në mënyrë që të dal nga kriza.

Kujtojmë se Kosova është renditur shumë poshtë në testin ndërkombëtar PISA në vitin 2016 çka ka ngritur shqetësime të mëdha në vend./R.Rexhepi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme