Google ADS

Arsim Bajrami shpërndan Abetaren për klasat e para

15:41 | 4 Shtator 2017
Arbresh.info

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2017/2018, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka përuruar objektin e ri të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Sadri Duhla” në fshatin Duhël, ndërsa ka vizituar shkollën “Abdyl Frashëri” në Prizren.

Me këtë rast, ministri Bajrami ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa një urim të veçantë u’a dedikoi nxënësve të klasave të para, të cilëve simbolikisht u’a shpërndau Abetaren gjatë vizitës në shkollën “Abdyl Frashëri”.

Pasi që ka përuruar shkollën “Sadri Duhla”, Bajrami u shpreh i lumtur që viti i ri shkollor po fillon në një shkollë të re dhe moderne për nxënësit e fshatit Duhël. Ai theksoi se përmirësimi i infrastrukturës shkollore do të jetë gjithmonë në agjendë të Ministrisë, krahas zhvillimit të segmenteve tjera të arsimit.

Ndërsa, gjate vizitës në shkollën “Abdyl Frashëri”, Ministri tha se Kosova po përjeton festë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa u shpreh i kënaqur me infrastrukturën shkollore në këtë qytet.

“Fillimi i vitit shkollor është festë për të gjitha familjet sepse sot po hapen dyert për më shumë se 350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar, duke i dhënë gjallëri vendit. Jemi duke punuar në realizmin e ngritjes së cilësisë dhe Komuna e Prizrenit është një prej shembujve më të mirë. Pasuria e kësaj komune është edhe diversiteti etnik”, u shpreh ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu theksoi se, qeveria e ardhshme do të ketë prioritet zhvillimin e arsimit, ndërkaq u shpreh i sigurt se përgjatë këtyre tri viteve është stabilizuar sistemi arsimor dhe është punuar në realizimin e misionit kombëtar të ndërtimit të një edukimi cilësor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme