Në hapësirat e ish-Jugosllavisë, e sidomos në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë, nxënësit janë etnikisht të ndarë.
Jo rrallë fusha e futbollit është vendi i vetëm i tyre për pak takim, shkruan AFP, përcjell Gazeta Metro.
“Benjamini, shqiptar i Kosovës dhe Lluka, serb i Kosovës, janë fëmijë të cilët shkojnë në shkollën e njëjtë, por takohen vetëm në fushën e futbollit. Njërin djalë e mësojnë se Kosova është e pavarur, ndërsa tjetrin se ajo është krahinë serbe”, kështu AFP fillon reportazhin për shkollimin në Kosovë.
Agjencia franceze transmeton deklaratën e ekspertit për arsim Dukagjin Pupovci, i cili paralajmëron se ndarjet shumëvjeçare etnike në arsim do të ndikojnë dëmshëm në shoqëri dhe do të sjellin jostabilitet, ndërsa për nxënësit serbë në Kosovë ai thotë se janë në rrezik të jetojnë jashtë realitetit.
Në reportazh përshkruhet se si në periferi të Prishtinës jetojnë 400 banorë shqiptarë e serbë në fshatin Palaj të cilin serbët e quajnë Crkvena Vodica.
“Atje nxënësit shqiptarë dhe serbë e ndajnë një shkollë, ndërsa emri i saj ndahet sipas përkatësisë etnike të nxënësve të cilët janë në atë shkollë. Pra në mëngjes, kur në të shkojnë më pak se 50 nxënës serbë, e quajnë “Dositej Obradovic”, ndërsa pasdite kur atje mësojnë më shumë se 80 fëmijë shqiptarë, shkolla quhet “Fazli Grajqevci”, vazhdon shkrimin AFP.
Njëmbëdhjetë vjeçari Benjamin i thotë agjencisë franceze se në shkollë secili flet gjuhën e vet, e kur nuk e kuptojnë njëri tjetrin atëherë merren vesh me duar.
Dymbëdhjetë vjeçari Lluka thotë se rrallë paraqiten problemet në mes të nxënësve, dhe kur të paraqiten, ata vetë i zgjidhin ato, nuk i thërrasin prindërit apo arsimtarët.
Edhe pse shumica e prindërve të tyre i flasin të dy gjuhët, gjë që është trashëgimi prej ish-Jugosllavisë, ky nuk është rasti edhe me fëmijët e tyre – duke përmendur se Benjamini në shkollë mund të mësojë anglisht dhe frëngjisht, derisa serbët e preferojnë gjuhën ruse si gjuhë të huaj.
“Ne jemi si dy trena të cilët vijnë nga drejtime të ndryshme dhe takohen vetëm shkurt në stacion”, sqaron arsimtari i fizikës Sejdi Preniqi.
Nxënësit shqiptarë vijnë në shkollë gjysmë ore pasi që nxënësit serb ta lëshojnë shkollën, kështu që nuk ka problem, pretendon Igor Maksimovic, drejtor i paradites i shkollës, i cili thekson se “nxënësit nuk merren me politikë”, derisa agjencia franceze vëren se në korridore të shkollës nuk ka shenja kombëtare.
Drejtoresha e pasdites Mevlyde Grajqevci thotë se shqiptarët punojnë me programin e vet ndërsa serbët me të vetin, kështu që nuk ka tensione.
Begaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetje ndaj ...
Studim: Jeta në hapësirë nuk dëmton aftësitë mendore të astr...
Në Tuz të Malësisë vendoset busti i Gjergj Kastriotit
Zelensky bën thirrje për një përgjigje të fortë ndaj shantaz...
Real Madridi e fiton “El Classicon” në basketboll
Sipas Haradinajt, opozita do t’i fitojë zgjedhjet