Drejtori i kompanisë “ALB – Architect”, Afrim Demiri ka dorëzuar në Ministri të Arsimit 31 kontrata të falsifikuara në emër të disa ekspertëve vendës e të huaj.
Me këto kontrata ka përmushur kriteret për të marrë një tender. Bazuar në këto kontrata, MASHT-i ia ka vazhduar kontratën për mbikëqyrje të objekteve shkollore në ndërtim edhe për 12 muaj. Kjo kontratë, ka gjasa ta çojë në burg, Ramë Bujën. Buja është arsyetuar se nuk është jurist dhe nuk i ka ditur të gjitha procedurat. Në aktakuzë Prokuroria nuk e përmend vlerën e tenderit, e as dëmin e shkaktuar.
Një tender për mbikëqyrjen profesionale të objekteve kapitale të ndërtuara nga Ministria e Arsimit, ka shumë gjasa që ta çojë në burg, Ramë Bujën.
Ish-ministri i Arsimit, është akuzuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Veprën besohet se ka kryer në bashkëkryerje me Xhavit Dakajn – sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë.
Ata, dyshohen se me qellim të përfitimit pasuror për vete dhe të tjerët – operatorin Ekonomik “ ALB- Architect” , kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Akuzohen se më 11 maj 2012 kanë lidhur marrëveshje me OE “ ALB – Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale te projekteve te iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15.05.2009 dhe anekskontratës së nënshkruar më 16.05.2011 për tenderin “Mbikëqyrja profesionale e objekteve kapitale te ndërtuara nga MASHT”, pa një procedurë të re tenderuese.
Drejtori i Zyrës së Prokurimit, Xhemaj Buzuku akuzohet se ka lidhur kontratën me afat prej 24 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj, me OE “ALB – Architect”. Në këtë kontratë përfshihen projekti ideor, projekti kryesor, infrastruktura përcjellëse, mbikëqyrja dhe revidimi i projekteve të infrastrukturës.
“Po ashtu me datën 16.05.2011 ka vazhduar kontratën me një anekskontrate për 12 muaj. Ndërsa me datën 11.05.2012 ka lidhur marrëveshje me OE “ ALB – Architect “ për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave baze të datës 15. 05. 2009 dhe aneks kontratës së datës 16.05.2011, në kohë të pa caktuar, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe legjislacionin dytësor të prokurimit”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.
Drejtori i kompanisë ALB –Architect”, Afrim Demiri akuzohet për veprën penale të mashtrimit. Në procesin e ofertimit, ai akuzohet se ka përpiluar kontrata të rreme për 31 persona, se kinse janë ekspertë që punojnë për të.
Demiri ka dorëzuar kontrata pune të rrejshme në emër të Alush Shalës, Armen Aoganesian, Tadeusz Skoczynsky, Xhavit Gorçajt, Kadri Morinës, Ilir Abdullahut, Arif Dakës, Ali Muriqit, Myzafer Mustafës, Ramiz Krasniqit, Muhamet Kurtit, Fahri Dolit, Subhi Imamit, Veton Pirës, Besim Qelajt, Shkelqim Zeqos, Ahmet Shalës, Fadil Shehut, Visil Vitanov, Jovan Papik, Adem Iberhysaj, Lindita Ajetit, Lindita Rexhbeqaj, Hanife Alimusajt, Shemsi Dakës, Imer Hoxhaës, Vullnet Qerkezit, Avdi Morinës, Idriz Kukajt, Hasan Avdiut, dhe Habib Alilit, se gjoja këta ekspertë – inxhinierë kanë lidhur kontratë pune me kompaninë e tij.
Këto kontrata, akuzohet se i kanë përdorur me qellim të shfrytëzimit si dokumente origjinale në ofertën e tij dhe me këto kontrata të rreme ka arritur që ta vëjë në lajthim komisionin e vlerësimit të këtij tenderi qe t’i vlerësojnë si të vërteta dhe të fitojë kontratën.
Me këto kontrata, Demiri ka përmbushur një obligim të dosjes së tenderit.
Aktakuza është ngritur pas hetimeve penale të iniciuara nga Agjencia kundër Korrupsionit. Kjo agjenci ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori më 21 nëntor 2014 kundër Xhemajl Buzukut, Xhavit Dakajt, Rame Bujës dhe Afrim Demirit.
Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit kanë vepruar me qëllim dhe paramendim për të përfituar financiarisht.
Ish-ministri Ramë Buja është arsyetuar se nuk është jurist dhe se asnjë veprim nuk e ka bërë me qëllim të dëmtimit të buxhetit, apo përfitimit. Ka thënë se ministri ka pozitë politike që zhvillon politikat e Ministrisë në vija te trasha, ndërsa sipas tij me hollësisht merret sekretari i përgjithshëm i Ministrisë.
“Unë nuk jam jurist me profesion. Gjithmonë ju kam thanë që ju mundeni me me mashtru por gjithmonë kam kërkuar sqarime paraprake, dhe për kontratën konkrete kam kërkuar sqarime dhe më kanë sqaruar krejt procedurën lidhur kontratë gjerë në momentin e vazhdimit të kontratës”, ka thënë Buja para prokurorit.
Buja ka thënë se kishte kërkuar nga vartësit e tij që gjithçka të jetë në përputhje me ligjin mbi prokurimin.
“Ata më kanë sqaruar se kjo kontratë është 24 muajsh me mundësi vazhdimi +12 muaj, pasi që siç më kanë sqaruar kishte mungesë të mjeteve financiare pasi që Ministria e financave nuk na i ka transferuar mjetet e premtuara”, ka thënë Buja.
“Për këtë arsye ne kemi bërë një marrëveshje miqësore me operatorin ekonomik ‘Alb Architekt’’ që të mos dëmtohet buxheti i MASHT-it dhe të mos na padit për vonesa, e pagesave dhe për vonesa të ekzekutimit të punëve pasi që në kontratë ka qenë i obliguar që t’i mbikëqyri të gjitha objektet e filluara nga MASHT-i”, ka sqaruar ai.
Buja është arsyetuar se me kontratë është paraparë dhe menduar që të gjitha objektet do të përfundojnë brenda dy viteve brenda afatit te kontratës, mirëpo për shkaqe financiare kjo nuk ka ndodhur. Sipas tij, detyrimisht MASHT ka qenë e obliguar që ta bëjë këtë vazhdim ëe kontratës me qëllim që MASHT-i mos të dëmtohet financiarisht.
Ish-ministri ka thënë se nëse nuk do të vazhdohej kontrata, atëherë do të duhej që të paguheshin obligimet ndaj operatorit ekonomik dhe te shpallet tenderi i ri për mbikëqyrje të objekteve në ndërtim.
“Kjo procedurë do të kishte shkaktuar zgjatje kohore dhe pagesë të dyfishtë. Siç dihet procedurat e tenderimit po zgjasin me vite dhe ne do të kishim humbur edhe në kohe edhe ne mjete financiare”, ka deklaruar Buja.
Për shpërdorim të pozitës zyrtare është akuzuar edhe vëllai i Ramë Bujës, Shukri Buja ditë më parë.
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...