Komuna e Mitrovicës ka pranuar një donacion prej 300 laptopëve, që kanë ardhur nga Holanda, falë veprimtarit bamirës nga Mitrovica, Fitim Ismajli, njoftoi komuna.
Ismajli ka thënë se laptopët janë dhuratë e Shkollës Norderpoort nga Groningeni i Holandës, ku ai është drejtor. Ai tha se nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës janë fare mirë të njohur me situatën e vështirë në shkollat e Mitrovicës, andaj edhe janë shumë të interesuar që të ndihmojnë për përmirësimin e këtyre kushteve.
“Kolegët e punës dhe nxënësit me prindërit e tyre tashmë janë mësuar se unë interesohem për donacione të këtilla për Mitrovicën, prandaj edhe vetë më ndihmojnë në këtë drejtim. Sivjet, nga 600 laptopë sa ishin për t’u dhuruar e që janë të përdorur më pak se tri vjet, 300 i dhuruan për Mitrovicën, kurse 300 të tjerë për dy shtete të Afrikës, si dhe për Rumaninë dhe Bosnjën. Vlera e tyre kap shumën prej rreth 70.000 euro”, tha ai.
Ismaili tha se është shumë i lumtur që laptopët erdhën pa probleme në Mitrovicë dhe që sadopak do të ndihmojnë nxënësit dhe arsimtarët e shkollave të qytetit për aftësim në përdorimin e kompjuterëve.
Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, pasi falënderoi Ismajlin për donacionin e dhuruar dhe për ndihmën e vazhdueshme që po i jep shkollës shqipe në komunë, tha se donacioni është shumë i rëndësishëm për modernizimin e shkollave të komunës dhe për përmirësimin e kushteve për mësim.
Edhe drejtori i Drejtorisë për Arsim në komunën e Mitrovicës, Pajazit Hajzeri, tha se 300 laptopët e dhuruar janë dhurata më e mirë që mund të bëhet për Vitin e Ri.
“Me këta laptopë do t’i pajisim kabinetet nëpër shkolla, ku nxënësit do të kenë mundësi më të mëdha të fituar njohuri të reja kompjuterike. Unë shfrytëzoj rastin që të falënderoj nxënësit, arsimtarët dhe prindërit e shkollës Norderpoort nga Groningeni i Holandës, si dhe gjithsesi më të merituarin për këtë, Fitim Ismailin”, tha Hajzeri.
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh